Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka refuzuar kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit për lejimin e tifozëve në ndeshjen ndaj Anglisë.
Ditë më parë, FSHF kishte kërkuar leje që në ndeshjen Shqipëri – Angli të jenë të pranishëm edhe tifozët, me një numër të limituar.
Mirëpo, kjo kërkesë është refuzuar nga autoritetet shqiptare, pasi që nga prania e tifozëve vlerësohet me rrezikshmëri të lartë.
“Zhvillimi i këtij aktiviteti sportive me pjesëmarrje të spektatorëve konsiderohet me rrezikshmëri të lartë për përhapjen e infeksionit Covid-19, kjo për shkak se shoqërohet me grumbullime njerëzish.
Duke parë situatën epidemiologjike, në kushtet e numrit të lartë të rasteve të reja të infektimeve me Covid-19, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk e miraton kërkesën tuaj”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndryshe, ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë zhvillohet më 28 mars në “Air Albania Stadium” dhe është e vlefshme për kualifikime në Kampionatin Botëror “Qatar 2022”.