Shkëlqen një tjetër “legjionar”, Ylber Ramadani, motorri i mesfushës së Kombëtares

Shqipëria u largua me kokën lart nga Euro 2024, ku kishte rënë në “Grupin e Vdekjes” së bashku me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë.

“Kuqezinjtë” lanë shenjë në eventin që tashmë ka hyrë në fazat me eliminim direkt me golin më të shpejtë në historinë e Evropianit dhe barazimin epik kundër Kroacisë, që i mbajti në lojë për kualifikimin në ndeshjen e fundit.

Një tjetër statistikë e fazës së grupeve bën protagonist një futbollist shqiptar, teksa sipas specialistëve të Transfermarkt, Ylber Ramadani është futbollisti që ka përshkuar më shumë kilometra në tri ndeshjet e para.

Mesfushori i Leçes, që është një pikë shumë e rëndësishme e Shqipërisë së Sylvinhos, ka vrapuar në total 37.5 km, duke qenë i pakonkurreshëm në këtë aspekt.


Shtuar 27.06.2024 16:53