Sheriff-Inter, Inzaghi kërkon “ringjalljen” e Lautaro Martinez

Interi do të përballet të mërkurën ndaj Sheriff-it në Tiraspol, një ndeshje tinëzare ku ka përballë një ekip të paparashikueshëm.

Zikaltërit do të kërkojnë 3 pikët për të vendosur një tullë në rrugën e kualifikimit në 1/16 e Champions League. Italianët janë duke u përgatitur për këtë sfidë ku janë të vetëdijshëm se kanë një shans të madh për të bërë një ndryshim vendimtar në sezonin e tyre.

Të mposhtësh moldavët do të nënkuptonte kapërcimin e tyre në rënditje dhe rikthimin e rrugës evropiane në binarët e duhur. Për të arritur këtë gjë, është e nevojshme gjetja e golit nga ana e Lautaro Martinez.

Argjentinasi do të rikthehet titullar në krahë të Dzeko pasi të dielën ndaj Udineses qëndroi në stol për të pushuar. Inzaghi pret shumë nga Lautaro dhe është i bindur se nesër do të jetë mbrëmja e tij.

Martinez është i freskët ku shpenzoi vetëm 15 minuta në fushën e lojës të dielën dhe kështu ka kushtet ideale për të gjetur golin të cilin ka që në 2 tetor pa shënuar. Argjentinasi pati një start të vrullshëm ku në 6 ndeshjet e para shënoi 5 herë në Seria A dhe gjithashtu performancë të shkëlqyer me kombëtaren e tij.

Simone Inzaghi ka besimin se “El Toro” do të jetë pika kyçe e fitores së Inter-it të mërkurën, gjithmonë nese ajo fitore do të vijë./H.LL/albeu.com


Shtuar 2.11.2021 11:00