Sauditët kanë filluar të sulmojnë sërish: Këta janë nëntë yjet që mund të transferohen në Azi në janar

Arabia Saudite ia doli në planet e saj fillestare për të sjellë emra të shumtë të mëdhenj të futbollit në Superligën e Arabisë Saudite dhe në fillim të afatit kalimtar të janarit do të nisë sulme të reja ndaj yjeve botërore.

Mediumi The Sun analizoi nëntë futbollistë të mëdhenj botërorë që mund të ndryshojnë klub në janar dhe t’u bashkohen kolegëve të tyre që luajnë në Arabinë Saudite. Analizat bazohen në ofertat e marra tashmë nga ky vend aziatik, negociata nga kjo verë, por edhe takime të reja për të cilat po shkruajnë mediat.

Sigurisht, i pari në listën e të mëdhenjve është emri i Kylian Mbappe, e ardhmja e të cilit nuk është zbardhur asnjëherë. Mbappe ishte gjithashtu i lidhur me Al-Hilal gjatë verës dhe besohet se PSG-ja e tij pranoi një ofertë prej rreth 280 milionë euro për sulmuesin, por ai refuzoi.

Sauditët do të shkojnë sërish për francezin gjatë dimrit dhe nëse do ta bindin që t’i bashkohet kësaj radhe mbetet për t’u parë.

Ka shumë të panjohura rreth Mohamed Salah dhe të ardhmen e tij në Liverpool. Dëshira e supozuar e egjiptianit për të ndryshuar mjedis është përmendur prej kohësh dhe sauditët do të bëjnë gjithçka për ta sjellë atë që në janar.

Duke qenë se i ka mbetur edhe pak më shumë se një vit nga kontrata e tij me Liverpoolin, besohet se ai do të shfrytëzojë mundësinë në Anfield për ndoshta trofeun e fundit të madh për Salah para skadimit të kontratës.

Jadon Sancho është një nga ata lojtarë që me shumë mundësi do të ndryshojë ambient. Edhe pse ende i ri, Sancho nuk e ka dëshmuar veten te Manchester United dhe një kalim në Arabinë Saudite duket të jetë një mundësi ideale për të gjitha palët.

Pas një përplasjeje publike me Erik ten Hag, Sancho ka gjasa të largohet nga klubi, me dy skuadra në garë për nënshkrimin e tij. Është ekipi Al-Hilal dhe ish-klubi i tij Borussia Dortmund.

Gjatë verës, futbollisti legjendar kroat Luka Modric refuzoi kontratën e jetës së tij nga Arabia Saudite. Ai vazhdoi me Real Madridin, por duket se së shpejti do të marrë fund bashkëpunimi.

Mediat spekulojnë se Modric duhet të jetë ylli i ardhshëm i madh sepse ai tashmë ka disa oferta në tavolinë dhe do të mund të zgjedhë.

Transferimi më i sigurt në Arabinë Saudite është ai i Casemiros nga United sepse drejtori i klubit John Murtough ishte tashmë në Arabinë Saudite dhe diskutoi për transferimin. Tani gjithçka varet nga braziliani që po shqyrton një ofertë nga Azia.

Qendërmbrojtësi i United, Raphael Varane, mund të shkojë në Arabinë Saudite në një “paketë” me Casemiron.

Burime pranë Old Trafford raportuan se francezi pothuajse me siguri po largohet nga klubi dhe se një ofertë prej rreth 20 milionë funte është e mjaftueshme.

Legjenda e Tottenham Hotspur, Hugo Lloris, ka rënë plotësisht në harresë dhe do të ndryshojë klub gjatë janarit.

Veterani, 36 vjeç, mori një ofertë të madhe nga Arabia Saudite dhe ka të ngjarë ta pranojë atë në janar.

Thomas Partey i Arsenalit e informoi klubin muajin e kaluar se donte të largohej nga Emirates.

Futbollisti nga Gana ka marrë një ofertë prej rreth 40 milionë eurosh në sezon nga Arabia Saudite dhe duket se do të kalojë në shtetin aziatik.

Thiago Alcantara është i fundit në një seri emrash të lidhur me një transferim në Arabinë Saudite.

Ylli i Liverpoolit ende nuk ka bërë asnjë paraqitje këtë sezon për shkak të lëndimit, dhe thuhet se është tërhequr nga sauditët e pasur dhe do të pranonte një ofertë adekuate që në janar. Gjithashtu, Liverpooli do ta pranonte që verën e ardhshme të mos largohej plotësisht falas. /Telegrafi/


Shtuar 26.12.2023 11:32