Sancho reagon pas debutimit me Dortmundin, tregon se çfarë i kishte munguar më së shumti rreth klubit

Jadon Sancho ka bërë dje debutimin e tij të dytë me fanellën e Dortmundit në duelin ndaj Darmstadt në udhëtim.

Dortmundi fitoi me rezultat 3-0 dhe anglezi asistoi tek goli i dytë në këtë takim, që u shënua nga gjermani Marco Reus pas një vrapimi fantastik në krahun e djathtë.

Pas ndeshjes ai pranoi se është shumë i lumtur dhe ndihet si në shtëpi tek Dortmundi.

“Që kur kam ardhur këtu, unë jam ndjerë sikur në shtëpi dhe jam shumë i lumtur që jam rikthyer në fushë përsëri”, ka thënë Sancho.

“Ishte e thënë të bëhej kështu, të rikthehem dhe të shikoj Marcon duke shënuar përsëri. Ai është një mik i mirë i imi dhe jam i lumtur që asistova tek goli i tij”.

“Qëllimi im është që të jem i lumtur përsëri, të rikthehem në fushë dhe të ndihmoj skuadrën, t’i ndihmojë ata të rikthehen në top treshe dhe të kualifikohemi në Ligën e Kampionëve”, është shprehur anglezi.

“Unë kam qëllime personale që nuk do t’i them për ju tani. Unë vetëm dua të ndihmojë skuadrën dhe jam shumë pozitiv rreth pjesës së dytë të sezonit”.

“Ne e mbajtëm portën e pastër, diçka që ishte shumë e rëndësishme dhe nga tani do ta marrim ndeshje pas ndeshje. Ekipi ka objektiva dhe unë jam i sigurtë që do të luftojmë çdo ndeshje”, përfundoi ai.

Sancho iu bashkua Dortmundit më herët gjatë kësaj jave në një huazim gjashtë mujor, pas një aventure dëshpëruese tek Manchester United, që bëri që ai të përjashtohej nga trajneri Erik Ten Hag./Telegrafi/


Shtuar 14.01.2024 12:19