Rumunët lanë një mesazh për gjermanët pas eliminimit nga Euro 2024, kjo është gjendja në të cilën u larguan nga zhveshtorja

Ekipi i Kombëtares së Rumanisë përfundoi paraqitjen e saj në Euro 2024 në fazën e 1/8-tës, ku u mposhten nga Holanda me rezultat të pastër 3-0.

Para se të largoheshin nga Allianz Arena në Mynih, ata pastruan zhvshtoren dhe lanë një shënim falënderimi për organizatorët.

“Evropiani ishte një përvojë e jashtëzakonshme për të gjithë ne dhe tani jemi të lumtur të themi se ishte gjithashtu një nder i madh. Çdo ndeshje, çdo moment që jetuam këtu na frymëzoi të ndjenim gjithë magjinë e futbollit”.

“Ne largohemi nga Gjermania duke menduar se bëmë më të mirën për Rumaninë dhe jemi mirënjohës për faktin që gjatë këtyre dy javëve ishim pjesë e një familjeje të madhe të futbollit evropian. Ishte një nder të ishim pjesë e saj. Faleminderit që na bëtë të ndihemi në shtëpi”, shkruhet në letrën e falënderimit për organizatorët.

Rumania shënoi katër gola në fazën e grupeve të Euro 2024 për të kryesuar grupin dhe për t’u kualifikuar në fazën eliminatore për herë të parë që nga Euro 2000.

Aty u mundën nga Holanda dhe më shumë se 125 mijë tifozë të tyre ndoqën ndeshjet e Rumanisë në stadiumet gjermane, gjë që i rendit në vendin e tretë për nga shifra, pas Gjermanisë dhe Turqisë.

Skuadra rumune do të kthehet sonte (e mërkurë) në Bukuresht. /Telegrafi/


Shtuar 3.07.2024 16:56

Tags: