Viti 2026, ka marrë një peshë të veçantë për Kombëtaren shqiptare, e cila po përjeton një nga momentet më të rëndësishme të historisë së saj.
Kuqezinjtë janë përfshirë në fazën “Play Off” të Kupës së Botës, duke synuar një kualifikim historik në turneun më të madh futbollistik.
Ecuria në këto ndeshje do të përcaktojë jo vetëm fatin e pjesës së parë të vitit, por edhe fokusin e objektivave për muajt në vijim.
Nëse rruga drejt Botërorit do të mbyllet me sukses, Shqipëria do të shkruajë histori. Në të kundërt, vëmendja do të zhvendoset plotësisht te Liga e Kombeve, një kompeticion ku kuqezinjtë kërkojnë rikthimin pas zhgënjimit të edicionit të fundit.
LIGA E KOMBEVE- Sot në Bruksel hidhet shorti i fazës së grupeve të edicionit 2026/27 të “UEFA Nations League”, një moment kyç për Kombëtaren shqiptare që do të mësojë kundërshtarët e saj në Ligën C. Kombëtarja shqiptare është pozicionuar në vazon e parë për shortin e fazës së grupeve, që hidhet sot në Bruksel. Ky pozicionim e rendit Shqipërinë mes përfaqësueseve me koeficientin më të lartë të kësaj lige, së bashku me Islandën, Malin e Zi dhe Kazakistanin.
Në vazot e tjera përfshihen përfaqësuese si Finlanda, Sllovakia, Bullgaria, Armenia, Bjellorusia, Qipro, Ishujt Faroe, Moldavia, Estonia dhe San Marino, si edhe skuadra që do të dalin nga ndeshjet “play-off” mes Ligës C dhe D. Sistemi i garës parashikon përballje vajtjeardhje brenda grupit.
Sipas rregullores së UEFA-s, vendet e para sigurojnë ngjitjen në Ligën B, ndërsa vendet e dyta mund të përfshihen në fazën “play-off”, në varësi të formulës përfundimtare. Në këtë kontekst, objektivi i Shqipërisë është i qartë: fitimi i grupit dhe rikthimi në Ligën B, si dhe ruajtja e një rruge alternative drejt kualifikimit në EURO 2028. Liga e Kombeve mbetet një kompeticion i rëndësishëm për kombëtaret europiane, pasi ndikon drejtpërdrejt në renditjen e UEFA-s dhe në mekanizmat shtesë të kualifikimit për turnetë madhorë.
RISIA NË KALENDAR – Një risi e rëndësishme e këtij edicioni është ndryshimi i kalendarit ndërkombëtar. Për herë të parë, UEFA ka bashkuar dritaret e shtatorit dhe tetorit në një periudhë të vetme të zgjatur. Kombëtaret do të zhvillojnë katër ndeshje nga 24 shtatori deri më 6 tetor, ndërsa dy takimet e fundit do të luhen në periudhën 12–17 nëntor. Ky format i ri synon të reduktojë ngarkesën e udhëtimeve për lojtarët dhe erdhi pas diskutimeve të gjata me klubet europiane.
Për Shqipërinë, synimi këtë sezon në Ligën e Kombeve është padyshim kryesimi i grupit në Ligën C. Një arritje e tillë do të siguronte jo vetëm ngjitjen në një nivel më të lartë konkurrimi, por edhe një mundësi reale për të synuar fazën “Play Off” të EURO 2028 përmes kësaj rruge alternative që në fakt duket më e shkurtër dhe më e lehtë se kualifikueset e Europianit.
SEZONI I SHKUAR- Ecuria aktuale vjen pas një edicioni zhgënjyes në Ligën B, ku Shqipëria e mbylli grupin në vendin e fundit përballë Çekisë, Ukrainës dhe Gjeorgjisë. Performancat nën drejtimin e trajnerit Silvinjo nuk përmbushën pritshmëritë dhe sollën rënien në Ligën C.
Një nga pikat më të diskutuara ishte mungesa e hapësirave për elementë të rinj, pasi u ruajt thuajse i njëjti bllok lojtarësh që kishin përfaqësuar ekipin në kualifikueset dhe fazën finale të Europianit. Kjo strategji nuk prodhoi alternativa të reja për objektivat pasues duke u konsideruar padyshim një nga kompeticionet e vetme, ku Silvinjo me kombëtaren dështuan.
