Rritja e jashtëzakonshme e futbollit shqiptar në Maqedoni të Veriut

Në shtatorin e vitit 1994, Maqedonia zhvilloi ndeshjen e parë kualifikuese, një për kualifikim në “Euro 1996”.

Në stadiumin e mbushur me shikues në Shkup, më 7 shtator të atij viti, përfaqësuesja e Maqedonisë u përball me Danimarkën. Te Maqedonia ishte vetëm një futbollist shqiptar. Ishte Nexhmedin Memedi, që atëbotë përfaqësonte shqiptarët në përfaqësuese.

Memedi nuk luajti ndaj danezëve, ndeshje që pati përfunduar 1:1. Debutoi po ndaj Danimarkës në ndeshjen kthyese të luajtur më 26 prill 1995. Ciklin e parë kualifikues për Evropian, Maqedonia e pati mbyllur në vendin e katërt me shtatë pikë të fituara.

“Atëherë ishin kushtet më të vështira, nuk ishin siç janë tash. Isha i vetmi dhe ishte shumë më ndryshe. Kur u prish Jugosllavia ne nuk e dinim gjashtë muaj se ku do të luanim futboll. Kishte shumë lojtarë që luanin në klube të ndryshme të ish-Jugosllavisë dhe depërtimi ishte shumë i vështirë. Kurse tani situata është ndryshe, pasi gjysma e përfaqësueses është me shqiptarë dhe janë bartës të përfaqësueses. Jam krenar që e shoh shtetin e Maqedonisë që përfaqësohet me një numër të madh të futbollistëve shqiptarë”, ka thënë Memedi për KOHËN.

Nga viti 1993 deri në vitin 2000, Memedi, tani 55-vjeçar, për Maqedoninë kishte shënuar dy gola në 32 ndeshje.

Pas Memedit, pjesë e Maqedonisë ishin edhe disa futbollistë shqiptarë. Por për kohë të gjatë nuk kishte më shumë se një apo dy.

Situata ka ndryshuar shumë ndërkohë.

Sot numri i futbollistëve shqiptarë është i madh. Ndikimi i shqiptarëve në përfaqësuese është rritur shumë. Plot gjashtë futbollistë shqiptarë luajtën te Maqedonia e Veriut në “Euro 2020”. Luajtën Enis Bardhi, Ezgjan Alioski, Arijan Ademi, Visar Musliu, Egzon Bejtullai dhe Ferhan Hasani.

Më 8 tetor të vitit të kaluar, në këtë stadium, Kosova humbi ndeshjen më të rëndësishme të saj për në Evropian. Humbi nga Maqedonia e Veriut e udhëhequr nga shumë futbollistë shqiptarë. Kualifikimi në Evropian ishte historik për Maqedoninë e Veriut, ndërsa debutuan gjashtë futbollistët e ftuar.

Në një mënyrë, ajo ndeshje ishte pikë kthese për të dyja përfaqësueset.

Më 12 nëntor të vitit të kaluar, Maqedonia e Veriut fitoi 1:0 ndaj Gjeorgjisë në finale të plejofit dhe siguroi pjesëmarrjen në “Euro 2020”. Por, ndeshja ndaj Kosovës, aq sa vlerësohej vendimtare ishte edhe e padëshiruar.

“Ishte ndeshje mjaft e vështirë për ne shqiptarët që jetojmë këtu në Maqedoni të Veriut. Lojtarëve gjatë bisedës u thashë se jemi profesionistë dhe do të japim më të mirën për shtetin që përfaqësojmë. Nëse Kosova fiton ne do t’ia shtrijmë dorën dhe nëse ne fitojmë na shtrijnë dorën dhe kështu ndodhi. Nuk mund të shkonim të dyja përfaqësueset, fati ishte që ne të shkonim”, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muhamed Sejdini për KOHËN.

Në verë, Maqedonia luajti në Evropian. Humbi 3:1 nga Austria, 2:1 nga Ukraina dhe 3:0 nga Holanda. Si pjesëmarrje e parë në një ngjarje të madhe, paraqitja u vlerësua solide.

Pas “Euro 2020”, Maqedonia e Veriut ka një rrugë tjetër të hapur për një sukses të madh. Me fitoren 3:1 ndaj Islandës më 14 nëntor, Maqedonia e Veriut siguroi plejofin për Botërorin “Katari 2022”. Një prej golave vendimtarë e shënoi Alioski.

“U pa që nuk ishte e rastit që Maqedonia u kualifikua në Evropian dhe që sot është në plejofin për kualifikim në Botëror. E dimë që është shumë e vështirë rruga, pasi përballë kemi një Itali gjigante dhe njëra prej Turqisë dhe Portugalisë. Por, Maqedonia ka një rritje jashtëzakonisht të madhe”, ka theksuar Sejdini.

Sejdini nuk merr meritat për organizim. Thotë se në Federatë bëhet punë ekipore. Por, në fakt suksesi i Maqedonisë është arritur nën drejtimin e tij.

“Siç është futbolli sport ekipor, edhe federata punon në atë sistem, në sistemin ekipor, nga ai poshtë deri te presidenti. Nuk mund të them se kjo e arritur është meritë vetëm e kryetarit, por e të gjithëve. Maqedonia po respektohet nga kundërshtarët. Ishte përvojë e mirë, pasi për herë të parë u kualifikuam në Evropian ku luajtëm dy ndeshjet në Bukuresht. Pjesëmarrja ishte e arritur e madhe”, thotë i pari i shtëpisë së futbollit të vendit fqinj.

Image

Dominimi i klubeve shqiptare

Prezenca e fuqishme e shqiptarëve nuk është vetëm në Përfaqësuese. Viteve të fundit në futbollin e Maqedonisë së Veriut po dominojnë edhe klubet shqiptare. Është ndoshta e pritshme, për një vend ku shqiptarët janë në përqindje të madhe dhe të suksesshëm e bartës në shumë sfera.

Në verë, në garat evropiane, morën pjesë tri klube shqiptare, Shkëndija, Shkupi dhe Struga. Shkëndija ishte kampione vendi, ndërsa Shkupi nënkampion. Struga e përfundoi kampionatin në vendin e tretë.

Edhe para dy vjetësh, Shkëndija, Shkupi dhe Renova ishin pjesëmarrës në garat evropiane. Shkëndija dhe Renova janë nga Tetova.

Për Shkëndijën dhe Shkupin në të kaluarën ka luajtur edhe ish-futbollisti i Feronikelit, Besmir Bojku. Bojku aktualisht është lojtar i Strugës.

“Rritja është e madhe e shqiptarëve. Sidomos te Struga që në vitin 2015 u formua dhe gjashtë vjet më vonë arriti të luaj në Ligën e Konferencës dhe tani jemi në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë. Kurse Shkëndija prej hyrjes së ‘Ekologut’, ka një rritje shumë të madhe, kurse Shkupi në 3-4 vjetët e fundit merr pjesë rregullisht në garat evropiane. Mendoj se të tria ekipet shqiptare kanë një menaxhment të shkëlqyer që ka ditur të udhëheqë ekipet edhe në momente krize, prandaj ka ardhur deri te ky sukses. Shqiptarët e përfaqësueses së Maqedonisë kanë luajtur rol të madh në kualifikimet në Evropian”, ka thënë Bojku që me Shkëndijën ka fituar dy tituj dhe një Kupë.

Në fakt, Bojku me disa prej futbollistëve që janë pjesë e Maqedonisë V. ka luajtur te grupmosha U-21.

Edhe këtë edicion klubet shqiptare janë pretenduese. Shkupi është kampion vjeshte me 39 pikë, ndërsa Shkëndija në vendin e tretë me 31 pikë. Renova është në vendin e pestë me 27 pikë, kurse Struga në vendin e shtatë me 23 pikë.

“Unë do të them se më gëzon suksesi i çdo klubi që përfaqëson Maqedoninë. Por, ja që me vetë faktin që Shkëndija solli një investitor të madh dhe bëri një rritje të futbollit bashkë me Vardarin, të cilit i ndodhi ajo që i ndodhi, por me të vërtetë është klub i madh dhe besoj se do të arrijë aty ku e ka vendin. Prandaj, inkurajoj të gjitha klubet që investojnë, të punojnë profesionalisht dhe të kenë të arriturat e mëdha. Kishim Shkëndijën dhe sot e kësaj dite Shkëndija funksionon si një klub i madh, por tani kemi Shkupin, Strugën, Renovën, prandaj janë investitorë seriozë, punëtorë dhe sportdashës dhe ajo bën të veten që ato klube të mbijetojnë aty ku janë”, është shprehur kryetari Sejdini.

Image

Shumë shqiptarë edhe te gjeneratat e reja

Të kënaqur me rezultatet e viteve të fundit janë te klubi Shkupi, që ka selinë në Komunën e Çairit.

“FC Shkupi është klubi më i vjetër shqiptar në Maqedoni. Shkupi ka qenë klubi i vetëm që ka përfaqësuar shqiptarët në kohën e Jugosllavisë, në vitet e 90-ta. Jemi tri herë fitues të titullit dhe tri herë të Kupës. Shkëndija na ka arritur, por shpresojmë ta kalojmë këtë edicion. Kemi pasur ngecje, janë gati 20 vjet që nuk ka trofe në Shkup. Ka ndërruar çdo rrethanë në klub dhe kemi bërë investime”, ka thënë drejtori sportiv i Shkupit, Omer Bunjaku.

Image

Ai nuk fsheh edhe përkrahjen që kanë nga presidenti i FFM-së, Sejdini.

“Derisa nuk ka qenë ai president, gjithmonë kemi pasur president maqedonas dhe ne kemi qenë sikur ‘djali me njerkën’. Nuk është ngulur asnjë gozhdë, por prej se është Sejdini në krye të FFM-së, jo vetëm në klubin tonë, por edhe në gjithë klubet shqiptare po investohet dhe jo rastësisht nuk i kemi ato pengesa që i kemi pasur në të kaluarën”, ka deklaruar Bunjaku, duke shtuar se barrierat janë hequr pas ndryshimeve që janë bërë në FFM.

“Në dy vjetët e fundit, tri klube shqiptare po marrin pjesë në garat e Evropës, vitin e kaluar ne, Shkëndija, Struga, para dy vjetësh ne, Shkëndija, Renova. Shpresojmë të jemi kështu edhe në të ardhmen. Pra, nuk i kemi ato barriera që i kemi pasur”.

Brenda vitit 2021 në përfaqësuesen U-21 të Maqedonisë për kualifikimet e Evropianit të vitit 2023 janë ftuar plot 12 futbollistë shqiptarë, derisa katër shqiptarë ishin së fundi në përfaqësuesen “A” të femrave.

“Kemi në ekip dy shqiptarë që janë te U-21 dhe janë në formacionin bazë dhe shpresojmë që ta përfaqësojnë përfaqësuesen A të Maqedonisë, duke ndjekur rrugën e Enis Bardhit që ka dalë nga Çairi dhe shpresojmë të dalin edhe shumë të tjerë”, është shprehur Bunjaku.

Një ndër lojtarët që ka qenë i ftuar te Shpresat e Maqedonisë është Blerton Sheji. Sheji shpreson që në një të ardhme të afërt të arrijë të luajë në ekipin A të Maqedonisë V.

“Shpresoj që sa ma shumë të punoj tek U-21 që të arrij sa më shpejt të luaj te përfaqësuesja A e Maqedonisë së Veriut. Është një ëndërr për mua dhe pse të mos arrijnë të njëjtin nivel edhe të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu”, ka thënë Sheji.

Sheji vlerësohet një nga lojtarët që pritet të arrijë të luajë në ekipin “A” nga futbolli i Maqedonisë. Planet në Federatën e Futbollit janë që të afrojnë edhe disa futbollistë të tjerë shqiptarë që bëjnë karrierë në klube të ndryshme evropiane.

Ndikimi i shqiptarëve në futbollin e Maqedonisë është i madh, ndërsa trendi është për rritje të mëtejme. /koha.net/


Shtuar 2.01.2022 22:48