Rrëfehet Galliani: Milani i madh mbaroi kur shitëm 2 kampionë, Gattuso shihte ëndrra me Liverpulin

“Kur e kuptova unë që Milani i madh kishte mbaruar? Kur shitëm dy kampionë si Ibra dhe Tiago Silva.

Edhe sot pas 10 vitesh luajnë akoma në nivele të larta…”. Këto janë fjalët e Adriano Galianit, ish-administratorit të deleguar të kuqezinjve, i cili ka rrëfyer edhe një prapaskenë me Gatuzon pas humbjes dramatike në finalen e Champions në Stamboll kundër Liverpulit.

“Kur shitëm Ibrën dhe Tiago Silvën e kuptova që Milani madhështor nuk ishte më. U tregua i zoti Alegri që na mbajti edhe dy vite në Champions, por thellë brenda vetes e kuptova se kishte perënduar koha kur Milani ishte i pari në renditjen botërore të klubeve. Unë nuk jam gënjeshtar: pata një raport të vështirë me Barbara Berluskonin. Për shumë motive, por mbi të gjitha për financat.

Gatuzo? I fundit që e kapërdiu humbjen me Liverpulin në Stamboll. Më thoshte se i dilte në ëndërr ajo ndeshje dhe se donte të largohej nga Milani. ‘Mbase po të ndërroj fanellë nuk do mendoj kaq shumë për atë finale të humbur’, më tha kur erdhi në zyrën time. Unë iu afrova dhe i thashë: “Rino, të siguroj se një ditë t’i do të fitosh Champions-in, madje mund të marrësh hak edhe kundër Liverpulit. Nuk më besoi deri sa pas dy vitesh arritëm sërish në finale kundër tyre.

Para ndeshjes e pashë që lëshonte zjarr nga sytë. Ishte i tërbuar. Mendova me vete: “Ky ose merr kupën sonte ose dikush do lërë kockat në fushë…(qesh)”. Më mungojnë 8 finalet e luajtura në Champions, më mungojnë vërtetë shumë ato ndeshje”, ka rrëfyer Galiani për mediat italiane.


Shtuar 21.04.2022 22:23