Rrëfehet Capello: Ronaldo më ka nxirë jetën

fabio Kapelo në intervistën e fundit për “Game Insight” ka cekur shumë tema nga gjithësia e karrierës së tij. Milani, Ibrahimoviç, por edhe Ronaldo Fenomeni në fjalën e 76-vjeçarit që ka treguar edhe disa prapaskena interesante.

Cili ka qenë momenti më pozitiv në karrierën si trajner?

Më i gjati, por edhe më pozitivi ka qenë ai te Milani sepse pas largimit të Sakit të gjithë kishin parashikuar një moment të errët për klubin. Unë rreshtova 58 ndeshje pa humbje duke përfshirë edhe finalet e Champions-it. Nuk është se më ka shkuar keq te Roma ku riktheva titullin pas 20 vitesh pa fituar asgjë apo te Reali ku gjithashtu u shpalla kampion në vitin e parë, ndërkohë që ekipi nuk fitonte prej tri sezonesh.

A keni pengje?

Sigurisht që kam. Nuk duhej të isha kthyer te Milani sepse e gjeta veten me një skuadër që nuk e kisha projektuar unë, por nuk e refuzoja dot Berluskonin sepse i detyrohem për gjithçka kam arritur.

Cili është trofeu me të cilin jeni më i lidhur?

Më i vështiri ka qenë ai me Romën ku ndieja se kisha në duar një skuadër të fortë. Mungonte diçka dhe blemë Batistutën. Mund të kishim fituar dy tituj rresht, por nuk e ruajtëm dot përqendrimin. Te Reali kam fituar gjithashtu një titull fantastik. Në 11 javë nga fundi ishim 9 pikë larg Barcelonës. M’u desh të largoja Ronaldo Fenomenin, por pata të drejtë sepse skuadra ndryshoi qasje.

Nuk mund të mos ju pyesim për Ibrahimoviçin…

Historia ime me të është shumë e bukur. Kisha dëgjuar shumë për të, pavarësisht se me Romën e kisha përballur në një miqësore kur ishte ende tek Ajaksi. Në atë sfidë nuk ishte titullar dhe m’u desh të prisja pushimin për ta parë se çfarë prekjeje topi kishte. Kur trajneri i tij e hodhi në fushë mësova më shumë për cilësitë e Ibrës. Me lojtarë të dobët edhe mund të binte në sy, por unë kisha një skuadër cilësore dhe përsëri Ibrën e dalluan të gjithë. Kur shkova te Juvja ishte emri i parë që kërkova për të pasur një alternativë për Trezegenë. 16 milionë euro investim dhe pagesë për katër vite. Kur nisëm të punonim bashkë e kuptova që nuk godiste mirë, por një talent i tillë përmirësohet shpejt. E bëra të kuptojë se duhej të “shihte” më shumë portën dhe për ta ndihmuar i dhashë një kasetë me golat e Van Bastenit. Se si vazhdoi historia e dimë të gjithë, megjithëse Ibra përveç se golashënues u bë edhe një asistues i zoti.

Pra, nuk ju habit fakti që e shihni në këto nivele edhe tani që është 41 vjeç?

Duke e njohur, e prisja që të vazhdonte për një kohë të gjatë. Të arrish moshën 40-vjeçare me atë dëshirë, meriton elozhe. Ibra është i lidhur me këtë profesion sepse për të futbolli është profesion. Ai gjithmonë dëshiron të jetë protagonist duke qenë lider. Por ato janë dy gjëra të ndryshme sepse mund të jesh një njeri i dhomave të zhveshjes, por të mos jesh protagonist në fushë. Por ai është protagonist si në fushë ashtu edhe jashtë saj.

A flisni akoma?

Po, po, flasim herë pas here. Isha në prezantimin e librit të tij të fundit. Më thirri në skenë sepse është mirënjohës. Ai e di që unë arrita të nxjerr në pah talentin që kishte brenda duke treguar cilësitë e tij në fushë.

Futbolli është më mirë me VAR apo pa të?

Pa dyshim që me teknologji. Imagjinoni të eliminoheni nga një Botëror për shkak se arbitri nuk arrin të shohë një top që kalon vijën fatale.

Çfarë mendoni për sektorët e të rinjve në ditët e sotme?

Ndonjëherë tronditem kur shoh fëmijë 12-13-14 vjeç që luajnë, sepse sot në vend që t’i mësojnë të driblojnë, ata u mësojnë skemat. Në bazë të gjithçkaje është teknika. Me shpejtësinë që ekziston sot në futboll, nëse nuk ke teknikë nuk mund të luash. Kur i shoh duke bërë skema në vend që të bëjnë teknikë, më vjen për të vjellë. Në sektorët e të rinjve duhet të bësh shumë teknikë. Këtë e mësova nga Liedholmi. E kuptova më mirë në moshën 33- vjeçare, kur i stërvitur prej tij, isha kthyer në nivelin teknik që kisha në rini dhe që e kisha humbur me kalimin e kohës duke mos u stërvitur çdo ditë.

Ku qëndron thelbi atëherë?

Shumë e thjeshtë. Taktikat janë shumë më të lehta për t’u stërvitur sesa teknika. Kur i mësova teknikën, i thashë Ibrahimoviçit se për të goditur, duke pasur 46 këmbën, duhej të vendoste këmbën e tij mbështetëse në një mënyrë të caktuar afër topit. Kur sheh të rinjtë duke punuar, duhet t’u thuash këto gjëra, sepse nëse nuk e sheh gabimin, nuk mund ta korrigjosh. Përmirësimi i vazhdueshëm do të japë fryte herët a vonë.

Kë do të zgjidhnit mes Pirlos dhe Gatuzos?

Ata janë të ndryshëm, por së bashku janë të përsosur. Kjo është ajo që kërkon çdo trajner në mesfushë. Njëri ka një orientim të shkëlqyeshëm dhe e sheh lojën ashtu siç nuk e shohin të tjerët, ndërsa tjetri e mbështet atë me një punë të “pisët” që është vendimtare.

Mund të na thoni 11-shen tuaj të preferuar?

Është e pamundur të bëhet sepse do të ishin rreth 30 lojtarë që meritojnë të jenë në top-11. Megjithatë, mund të them një gjë, se lojtari më i mirë që kam trajnuar është Ronaldo. Por, njëkohësisht është ai që më ka bërë më shumë dëme. Më duhej ta largoja për të fituar kampionatin. Por ai ishte më i miri nga të gjithë me të cilët kam pasur fatin dhe mundësinë të punoja gjatë karrierës sime.


Shtuar 22.06.2022 18:45