Rotacioni i Kivusë jep fryte, katër suksese radhazi për Interin

Interi kthehet të buzëqeshë pas disa javëve të ndërlikuara. Fitorja kundër Slavia Pragës ishte e rëndësishme jo vetëm për rezultatin, por mbi të gjitha për mënyrën se si erdhi.

Një ndeshje e dominuar pa vuajtje, me një mbrojtje të hekurt dhe një sulm efikas që dha sinjalin se ekipi është gati për sprintin e sezonit.

Kujtesa e gjashtë golave të pësuar ndaj Udineses dhe Juventusit kishte ndezur alarmin për soliditetin mbrojtës, por katër ndeshjet e fundit kanë treguar një fytyrë krejt tjetër.

Vetëm një gol i pësuar në përballjet me Ajax, Sasuolo, Kaljari dhe Slavia Pragë: një statistikë që flet vetë dhe që tregon për përmirësimin e dukshëm. Çelësi? Rotacioni. Kivu ka vendosur të besojë te gjithë grupi dhe jo vetëm te formacioni titullar.

Pio Esposito dhe Boni, që më parë shiheshin thjesht si alternativa, tashmë kanë dhënë kontribute konkrete. Në mesfushë, Suçiç ka treguar se mund të jetë faktor.

Këto vendime kanë dhënë freski dhe kanë bërë që skuadra të mos varet vetëm nga yjet e saj. Trajneri nuk ka kërkuar revolucion, por ka ditur të bëjë ndryshimet e duhura në momentin e duhur. Duke ruajtur identitetin e skuadrës, ai ka arritur të përfshijë të gjithë lojtarët në projekt.

Një menaxhim inteligjent që po jep rezultat, sidomos në një sezon të ngjeshur me ndeshje dhe udhëtime. Katër fitoret rradhazi nuk janë rastësi, por produkt i punës së grupit.

Interi duket më i ekuilibruar, më i qëndrueshëm dhe më i vendosur. Porta e ruajtur e paprekur në shumë ndeshje i jep besim skuadrës, ndërsa sulmi ka gjetur sërish efikasitetin.

Sezoni është i gjatë dhe sfidat janë të shumta, por sinjalet janë inkurajuese.

Nëse ky ritëm dhe kjo qasje do të konfirmohen edhe në ndeshjet e ardhshme, Interi mund të bëhet një pretendues serioz në të gjitha kompeticionet.

Për momentin, tifozët shijojnë rikthimin te rezultatet dhe mbi të gjitha te siguria. Kivu ka treguar se di të menaxhojë presionin dhe të marrë vendime të guximshme.

Dhe Interi, me katër fitore rradhazi, dërgon një mesazh të qartë: është sërish aty ku duhet, gati për të luftuar deri në fund.


Shtuar 2.10.2025 15:57