Rinovoi kontratën me Ferrarin, Charles Leclerc: Më e mira ende nuk ka ardhur, dua të fitoj titullin

Tashmë është zyrtare, Charles Leclerc dhe Ferrati do të vazhdojnë që të punojnë sëbashku përtej vitit 2024. Ende nuk është specifikuar se deri kur është e vlefshme kontrata e re, por në media thuhet se rinovimi është arrtiur deri në vitin 2026.

Ndërkaq, pas lajmit të rinovimit, vetë piloti i Ferrarit foli para mediave. Leclerc u shfaq mjaft i lumtur për rinovimin, ndërkohë që u shpreh se më e mira për të dhe italianët nuk ka ardhur akoma.

“Jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të vesh tutat e Ferrarit në sezonet e ardhshme. Të garoj për Ferrarin është ëndrra ime prej moshës 3-vjeçare. Kjo skuadër është familja ime e dytë. Në 5 vitet e fundit kemi shkruar faqe të paharrueshme.

Por, mendoj se më e mira ende nuk ka ardhur dhe mezi pres të nisim sezonin e ri. Objektivi është që makina të jetë konkurruese në çdo garë. Ëndrra ime mbetet ajo e të fituarit titullin me Ferrarin dhe t’iu dhuroj tifozëve diçka të gëzueshme”, është shprehur Charles Leclerc


Shtuar 25.01.2024 22:51