“Rilindja” e një trajneri, festa e Josës është e përligjur (VIDEO)

Të shohësh Mirel Josën të festojë në këtë mënyrë është diçka vërtet e rrallë, si bora në gusht. Një nga ato pamje që kryeqytetasi nuk i ka dhuruar thuajse kurrë më parë si trajner, pavarësisht eksperiencës së madhe mbi shpatulla. Ndoshta hera e fundit kur ka festuar kështu atëherë kur luante vetë në fushë, dekada më parë, si për shembull kur shënonte atë gol historik me kombëtaren kundër Belgjikës.

Me profilin e një trajneri serioz, që rrallëherë madje dhuron me kursim një gjysmë buzëqeshje, tekniku 58-vjeçar këtë herë ka dhuruar një spektakël më vete. Ka fituar 2-1 ndaj Kukësit me Laçin e tij, pa dyshim që Josa në karrierën e tij të pasur ka patur kulme më të mëdha, një titull kampion me Tiranën, 4 me Skënderbeun ku ka luajtur në grupet e Europa League, duke çuar për herë të parë një skuadër shqiptare në këtë skenë.

E megjithatë, ka të gjithë të drejtën e botës të festojë, për atë që po bën te Laçi. E mori skuadrën në krizë të plotë, me vetëm 5 pikë pas 6 javësh kampionat, që atëherë në kampionat, 4 fitore, një barazim dhe vetëm një humbje. Në mes një kualifikim në Kupë, dhe suksese të bujshme, si ai 5-0 ndaj Dinamos.

Josa feston, jo vetëm për atë që po bën me skuadrën kurbinase, por edhe pse për një trajner të madh si ai, kjo është një rilindje e dytë. Ndoshta pengu më i madh i karrierës, ajo rënie nga kategoria me Tiranën, skuadrën e jetës së tij.

Josa nuk foli, ose foli pak, mes rreshtave, preferoi të mbajë mbi shpinë një barrë të rëndë fjalë-pak, që atëherë, aventura në Kosovë me Prishtinën ku fitoi Kupën, por jo kampionatin, Kukësi në një sezon me oshilacione dhe tani Laçi.

Këtu po, ka gjetur ambientin dhe kushtet e duhura për të punuar si duhet. në sfidën e radhës, luan përballë Tiranës kryesuese, Tiranës së tij, nuk është hera e parë që përballet me të si ish, por ndoshta hera e duhur për të treguar se Mirel Josa mbetet gjithmonë Mirel Josa. /supersport/


Shtuar 10.12.2021 17:09