Pasi regjistroi një rekord mahnitës me Francën duke u paraqitur në çdo ndeshje që prej gushtit të vitit 2017, Antoine Griezmann nuk do të jetë në dispozicion të “Gjelave” në miqësoren e së shtunës ndaj Gjermanisë.
Griezmann i cili është golashënuesi i katërt më i mirë në histori të Francës me 44 gola në 127 ndeshje, ka pësuar një lëndim i cili do e parandalojë atë nga grumbullimi me kombëtaren.
Ai do të zëvendësohet nga mesfushori i Lazios, Matteo Guendouzi, duke i dhënë fund rekordit të jashtëzakonshëm ku luajti të paktën një minut në 84 ndeshjet e fundit me Francën.
Hera e fundit kur ai kishte dështuar të luante për Francën ishte në qershor të vitit 2017 ndaj Anglisë, përballje të cilën francezët e fituan me rezultat 3-2.
“Pas 84 ndeshjeve radhazi për Francën, rekordi i Antoine Griezmann mbaron këtu. Me një kyç të këmbës të lënduar, Grizi do të zëvendësohet nga Matteo Guendouzi”, thuhej në njoftimin e Francës.
32-vjeçari ka arritur shumë gjatë kësaj periudhe shtatëvjeçare. Ai ka fituar Kupën e Botës në 2018 duke shënuar golin e parë në finalen ndaj Kroacisë.
Në total, ai ka shënuar 28 gola dhe ka bërë 30 asistime gjatë këtyre 84 ndeshjeve, ndërsa disa prej paraqitjeve të tij më të mira kanë ardhur ndaj Holandës, Finlandës dhe Gjermanisë. /Telegrafi/