Rei Manajt i del emri në klubin e Arabisë Saudite, sulmuesi e përgënjeshtron: Fake news

Rei Manaj është një nga emrat më të diskutuar në merkaton e kësaj vere mes futbollistëve të Kombëtares shqiptare.

Pas sezonit të shkëlqyer me Sivaspor, sulmuesi kuqezi pritet të transferohet drejt një skuadre tjetër pasi ofertat për të nuk mungojnë.

Gjatë ditës së kaluar në media të ndryshme ka qarkulluar emri i klubit të Arabisë Saudite, Damac, si më i interesuari për firmën e futbollistit.

Edhe ky i fundit raportohej se ishte i lumtur me këtë destinacion dhe vetëm pritej akordi mes arabëve dhe Sivasporit.

Por ka qenë vetë Manaj i cili nëpërmjet rrjeteve sociale, ka përgënjeshtruar këtë opsion transferimi në këtë moment të karrierës.

Në një nga lajmet që raportohej për transferimin e tij te klubi në fjalë në Arabinë Saudite, ai ka shkruar “Fake news”, duke e hedhur poshtë kësisoj këtë variant që ishte diskutuar për të ardhmen e tij.


Shtuar 9.07.2024 19:20