Pse dështoi transferimi i Mirlind Dakut te Zeniti? Dyshime për ndikim politik dhe faktorë të brendshëm

Mediat ruse vijojnë të analizojnë prapaskenat e dështimit të transferimit të sulmuesit kosovar, Mirlind Daku, nga Rubin Kazani te Zenit St. Petersburg.

Sipas raportimeve të Gazeta.ru, trajneri i njohur rus, Rinat Bilyaletdinov, ka ngritur dyshime se prapaskena të natyrës politike dhe ndjeshmëri brenda ekipit mund të kenë ndikuar në vendimin e Zenitit për të tërhequr interesimin ndaj Dakut. Bilyaletdinov përmend praninë e disa lojtarëve serbë në skuadër si një faktor potencial për tension të mundshëm brenda grupit.

“Zeniti ka një bërthamë të fortë serbe – Drkushiq, Erakoviq… dhe ndoshta transferimi i Dakut do të sillte më shumë ndarje sesa përfitim. Qëndrimi i tij në Euro 2024 nuk kaloi pa u vërejtur. Në një ambient të tillë, një figurë me deklarata të forta mund të konsiderohet rrezik për harmoninë e skuadrës,” deklaroi Bilyaletdinov.

Sipas trajnerit rus, edhe nisja e negociatave për një transferim të tillë ishte e çuditshme, duke marrë parasysh tensionet e mundshme që mund të shkaktonte.

Ndërkohë, një tjetër medium rus, Bombardir.ru, ka përmendur një arsye tjetër të mundshme për dështimin e marrëveshjes – një tatuazh që Daku ka në shpinë në nderim të heroit të UÇK-së, Agim Ramadani.

Sipas burimeve të paidentifikuara, drejtuesit e Zenitit kanë pasur rezerva për këtë detaj dhe kanë preferuar të tërhiqen nga marrëveshja, pavarësisht se palët ishin thuajse në finalizim.

Të gjitha këto raportime janë spekulime mediatike dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga asnjëra palë.

Megjithatë, ato reflektojnë ndjeshmëritë që mund të ndikojnë në prapaskenat e transferimeve, veçanërisht kur përfshihen lojtarë nga rajone me histori të tensionuar politike.


Shtuar 20.06.2025 19:09