Prokuroria kërkon dënim me katër vjet burg dhe gjobë prej 58 mijë eurosh për yllin e Real Madridit

Çështja gjyqësore ndaj mbrojtësit të Real Madridit, Raul Asencio, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

22-vjeçari ka mbrojtur pafajësinë e tij, por akuzohet për shpërndarje të përmbajtjes seksuale pa pëlqim si dhe për shpërndarje të pornografisë me të mitur.

Ngjarja ka ndodhur gjatë verës së vitit 2023 dhe përfshinte Asencion dhe tre futbollistë të tjerë nga akademia e Real Madridit: Juan Dominguez, Ferran Ruiz dhe Andres Martin, të cilët tashmë janë larguar nga klubi.

Hetimet zbuluan se lojtarët e tjerë ishin të përfshirë në marrëdhënie seksuale me dy vajza, përkatësisht 16 dhe 18 vjeçe në atë kohë, të cilat pretendohet se janë regjistruar pa pëlqimin e tyre. Asencio akuzohet se ka shpërndarë materiale nga ky regjistrim.

Sipas Cadena Cope, pas përfundimit të hetimeve, çështja do të kalojë për gjykim.

Viktimat, vajza e mitur dhe vajza tjetër e përfshirë në rast, kanë paraqitur zyrtarisht akuza kundër Asencios.

Ato po kërkojnë një dënim me katër vite burg dhe një gjobë prej 58 mijë eurosh për dëme të përkohshme fizike, stres post-traumatik dhe vuajtje psikologjike.

Avokatët e Asencios shprehen të sigurt në pafajësinë e tij. Por sipas së njëjtës media, ekipi ligjor i Raul Asencios është i qetë dhe i bindur për pafajësinë e klientit të tyre.

Pavarësisht seriozitetit të akuzave, avokatët kanë deklaruar:
“Jemi të qetë dhe do të shkojmë deri në fund për të provuar pafajësinë e tij”.

Asencio reagoi me një letër të hapur

Pas një periudhe heshtjeje, Asencio publikoi një letër të hapur në maj, menjëherë pas akuzave formale ndaj tij, ku mohoi çdo përfshirje dhe kërkoi që të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë.

“Dua të ritheksoj, edhe një herë, respektin tim absolut për të drejtat mbi lirinë seksuale dhe privatësinë e të gjitha grave”, kishte thënë Asencio. /Telegrafi/


Shtuar 3.06.2025 14:42