Futbollisti i Kombëtares së Shqipërisë, Jasir Asani, në një rrëfim ndryshe për Klan Maqedonia, flet për ndjenjat dhe emocionet e forta që ka përjetuar gjatë karrierës së tij. Asani tregon se të qenit pjesë e Kombëtares së Shqipërisë është një ëndërr e plotësuar që kur ishte fëmijë.
Ai tregon si ka pritur thirjen e parë nga trajneri Silvinjo, tregoi emocionet dhe parashikimet e tij për grupin e “ferrit” të kuqezinjve në EURO 2024 në Gjermani, si dhe ku parashikon ta mbyllë karrierën si futbollist.
“Ftesa kur erdhi isha në Kore dhe dy ditë para normal nga gëzimi edhe qan e bën të pamundurën për çdo gjë, sepse po të plotësohet ëndrra që nga fëmijëria që e ke pasur pë Kombëtaren e Shqipërisë. Është një emocion i paparë, sepse të vjen koha që ti të luash për atë fanellë shumë të rëndë, shumë emocion që të jep dhe me ato tifozë anembanë botës që vijnë e të mbështesin. Sidomos në “Air Albania”, që kanë qenë ato tre ndeshjet më të vështira, me Poloninë, Moldavinë dhe Çekinë që kemi fituar. Nuk mund ta përshkruash me fjalë, e paparë”, u shpreh ylli i Kombëtares Shqiptare, Jasir Asani.
I pyetur për grupin e shumëdiskutuar të njohur ndryshe si grupi i “ferrit” ku është Italia, Kroacia dhe Spanja, Asani duket mjaft optimist dhe me entuziazëm thotë se të gjithë ekipeve do t`u bëj gol. Ai gjithashtu shpreson se do të arrijnë të kalojnë grupin.
“Doja një grup shumë të fortë, si kjo që kemi, në mënyrë që ta shohim veten ku jemi dhe t’i tregojmë gjithë botës sepse nuk jemi rastësisht në Gjermani. Nuk ka qenë rastësi që kemi mundur Poloninë, Çekinë, Moldavinë. Është mirë që e mbyllëm në vend të pare dhe unë mendoj se do bëjmë gjëra të mëdha pa marrë parasysh se çfarë ekipi do të kemi aty”, tha Asani.
Rrëfimi i babait
Për të arritur aty ku është sot Asani ka hasur në shumë vështirësi. Babai Asanit rrëfen se të qenit futbollist Shqiptarë në Maqedoni nuk ka qenë aspak e lehtë për të.
“Ka pasur edhe sakrifica se ishte i vetmi shqiptarë aty që luante atje (Vardari) dhe kishte disa mosmarrëveshje. Nuk bën kështu! Nuk bën ashtu! Natyrisht ishte kohë e vështirë. Të tregosh se je shqiptarë ishte shumë keq, shumë e rënd”, u shpreh babai i Jasir Asanit.
Jasir Asani pohon se karrierën e tij dëshiron ta përfundoj duke u rikthyer sërish te Partizani, pasi sipas tij atje është familja e tij e dytë. /panoramasport/