Prapaskenat e merkatos/ Ronaldo zë vendin e Mbappe te PSG-ja?

Rrugët e merkatos nuk njohin fund. Aq më tepër kur flitet për emra si Kylien Mbappe e Cristiano Ronaldo. Prej javësh të përditshmet sportive shkruajnë se CR7 do të ishte zëvendësuesi i francezit në rast largimit të këtij të fundit nga Parisi.

Gjithçka varet nga oferta e Realit të Madridit që nuk pranon të shpenzojë shumicën e buxhetit për një lojtar në skadencë kontrate.

Në anë tjetër, Mbappe mezi pret të zbarkojë në kryeqytetin spanjoll ku do të gjejë edhe mikun Benzema.

Juventusi nuk kërkon të gjendet e papërgatitur dhe thuhet se ka një plan B, por më parë duhet të sistemojë portugezin, i cili nuk do të lejohet të largohet falas pasi do të shkaktonte humbje të rëndësishme në bilanc.

Një alternativë mund të ishte shkëmbimi me Icardin, i cili ka humbur vend në hierarkitë e Pochestinos. Argjentinasi do ta mirëpriste transferimin në Torino, por nuk mund të presë gjatë.

Për të interesohet Roma, që me ardhjen e Muorinhos në stol është bërë një klub shumë tërheqës për kampionë të ndryshëm të lojës me top. Gjithsesi, efektin domino mund ta shkak tojë vetëm Mbappe.

Ky i fundit kërkoi largimin që kur ishte i grumbulluar me Francën në Europian, por së shpejti do të ketë një takim më drejtuesit për të gjetur një zgjidhje që do ta ndihmonte të realizonte ëndrrën madrilene.


Shtuar 23.07.2021 09:52