Po nëse Teuta e Vllaznia përfundojnë me golavarazh të njëjtë, a do të jepet titulli me short?

Ky kampionat do të mbahet mend gjatë nga sportdashësit, pasi lufta për kreun e renditjes ka qenë mjaft e ndezur.

Deri në javën e 34-t ishin katër skuadra që pretendonin për titullin kampion, por pasi u luajt java e 35-të e Superiores, vetëm dy skuadra mbetën në garë: Teutën dhe Vllazninë. Të dyja skuadrat momentalisht janë në të njëjtën kuotë pikësh, por golavarazhi është ai që i jep vendin e parë ekipit të Martinit.

Pikët e grumbulluara në ndeshjet direkte janë të njëjta, ndërsa është vetëm 1 gol ai që ndan golavarazhet e të dy skuadrave. Një diferencë mjaft e vogël kjo që mund të barazohet në javën e ardhshme. Por çfarë ndodh nëse Teuta dhe Vllaznia përfundojnë me golavarazh të njëjtë?

Përgjigjen e jep rregullorja e hartuar nga FSHF, ku kampion shpallet ekipi që ka shënuar më tepër gola përgjatë kampionatit, e këtu ajo që buzëqesh është Vllaznia (Teuta e ka golavarazhin 36-15, ndërsa Vllaznia 42-22). Por nëse edhe numri i golave të shënuar është i njëtjë, atëherë llogaria e fundit është që titulli të jepet me short. Një skenar ky që vështirë të ndodhë, duke parë që diferenca mes golave të shënuar për të dy skuadrat është 6.


Shtuar 22.05.2021 11:52