Tifogrupi shqiptar, Plisat, kanë reaguar kundër organizimit të Kampionatit Evropian për grupmoshat U21 që zhvillohet në vitin 2027.
Ky organizim ishte fituar fillimisht nga Federata Shqiptare e Futbollit, që më pas kishte afruar edhe Serbinë si bashkëorganizatore, me në krye Armand Dukën.
Andaj, reagimet për këtë organizim nga populli shqiptar janë të forta, ndërsa Plisat kanë listuar vuajtjet që ka kaluar populli ynë nga okupatori serb.
Më poshtë mund ta lexoni postimin e tyre të gjatë:
REAGIM I GRUPIT “PLISAT” NDAJ AKTIT MË TË TURPSHËM NË HISTORINË E SPORTIT SHQIPTAR
Fatmirësisht jeni pak, por fatkeqsisht jeni me ndikim të madh në atë Shqipërinë tonë të zemrës. Jeni pak ju që keni komplekse inferioriteti ndaj shkijeve e ndaj ballkanasve tjerë, por sherrin e keni të madh sepse jeni në pozita të larta.
Është shkrim pak më i gjatë ky, por jo aq sa dhimbjet tona. As sa krenaria jonë. Andaj ju lusim te ndani pak kohe që ta lexoni.
Federata Shqiptare e Futbollit duhet ta dijë se sporti nuk është i ndarë nga historia dhe as nga ndjenjat e popullit që përfaqëson. Ky vendim nuk është vetëm i pakuptimtë, por edhe antikombëtar.
Askush nuk ju dha mandat t’i rehabilitoni kriminelët. Askush nuk ju dha mandat të shkelni mbi dinjitetin tonë.
Por ju keni mandat ta përcjellni futbollin. E kur e bëni punën tuaj, si nuk ju bie në sy asnjë akt antishqiptar nëpër stadiumet e “partnerëve” tuaj? Si nuk ju bijnë në sy flamujt anti Kosovë, anti Shqipëri, koreografitë e shkijeve duke u zotuar që do ta bëjnë namin kur të kthehen në Kosovë? Atyre ua kemi dhënë përgjigjen e merituar gjithmonë, herën e fundit kur u futën ne Banjskë para 1 viti e gjysmë, kur i lanë të vdekur shokët e tyre e ikën malit si lepujt, por sot vendosëm t’ua japim juve përgjigjen e parë, këtu të shkruar, për aktin tuaj të turpshëm.
z.Duka, me një të rënë të lapsit e me një nënshkrim tuajin, nuk shlyhet historia e aq më pak krenaria e dhimbjet tona, POR ju sigurojmë që ne lëndohemi shumë.
E kush jemi ne? Jemi populli shqiptar, i cili gjithandej trojeve ju shikon me habi e mëri se si kur nënshkruat me partnerët Tuaj, nuk i kujtuat veprimet e tyre vetëm në luftën e fundit, ku ndaj nesh i kanë kryer hiç më pak se:
15,000 vrasje të civilëve,
mbi 20,000 dhunime të grave;
kanë djegur mbi 40% të pronave të shqiptarëve;
kanë zhdukur mbi 6000 shqiptare, rreth 1600 prej të cilëve ende nuk dihet ku janë;
kanë kryer mbi 400 masakra, të dokumentuara;
kanë plaçkitur pronat privat e publike të shqiptarëve të Kosovës;
etj etj.
Por dëshira e tyre për gjakpirje e plaçkitje as nuk ka filluar me luftën e fundit, e as nuk ka përfunduar me të njejtën.
Sporti mund të jetë një urë lidhëse mes popujve, por jo kur ai përdoret për të normalizuar padrejtësinë, fashizmin, fajin e borxhin e shtetit më gjenocidal të Ballkanit.
Ne nuk mund të heshtim përballë një padrejtësie të tillë. Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit ta rishqyrtojë këtë vendim, të tërhiqen nga akti më i turpshëm në histori të sportit shqiptar dhe të mos e shesë dinjitetin tonë kombëtar për interesa të ngushta.
Sporti duhet të na bashkojë, por jo duke na detyruar të harrojmë gjakun dhe dhimbjen tonë. Janë dy mënyra për ta kujtuar historinë e popullit tonë. Njëra është përplot dhimbje e vuajtje, tjetra përplot krenari e nder. Asnjërën nuk do të mund ta shkelni ju. Me asnjë organizim tuajin, me asnjë vëllazëri tuajën me gjaksin tonë.
JO ME ATA!
JO MBI GJAKUN E SHQIPTARËVE!
DINJITETI MBI TË GJITHA!
NE NUK HARROJMË, NE NUK FALIM! /Telegrafi/