Lionel Messi ka folur për planet e tij rreth të ardhmes së tij te Paris Saint-Germain dhe cilat janë synimet e tij me klubin.
Ylli argjentinas është i njoftuar tashmë me dëshirat e klubit parisien dhe dëshiron që t’i gëzojë pronarët dhe ta shpërblejë besimin e dhënë.
“Qëllimi i këtij edicioni për PSG-në është fitimi i Ligës së Kampionëve. Natyrisht, ne do të përpiqemi të fitojmë gjithçka për të cilën luajmë. Mendoj se ky është synimi për të gjithë. Në një kompeticion special, ku të gjitha skuadrat e mëdha duan të fitojnë, edhe ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë”, ka deklaruar shtatë herë fituesi i Topit të Artë.
Duke folur për Argjentinën në Botërorin e vitit të ardhshëm, 34-vjeçari i PSG-së shtoi: “Nuk përfshihemi te favoritët, por mendoj se jemi në një pozicion të mirë pas fitores së Kupës së Amerikës”.
“Nevojitet të vazhdojmë rritjen si kombëtare, të jemi më të fortë dhe të mbërrijmë në Katar në formën më të mirë të mundshme vitin e ardhshëm. Kuptohet, do të luftojmë për ta realizuar ëndrrën e madhe”.
Lëvizjen drejt Parisit, duke lënë Barcelonën pas dy dekadash, Leo e përshkruan kështu: “Për mua dhe familjen ishte një ndryshim i madh, sepse jetuam në të njëjtin vend për shumë vite. Nuk ishte e lehtë të ndryshonim, por e vërteta është se jemi shumë mirë në një qytet spektakolar, në një nga skuadrat më të mira në botë”.
Argjentinasi do të mundohet ta ndihmojë PSG-në që ta fitojë Ligën e Kampionëve, derisa në 1/8 e finales do të takohen me Real Madridin.