Pjaniç jashtë projektit të Koeman, pret me interes të ardhmen e Allegrit

Miralem Pjanic u transferua me bujë këtë verë te Barcelona, në një operacion që çoi brazilianin Arthur te Juventusi, por mesfushori 31-vjeçar boshnjak nuk po arrin të përshtatet te katalanët dhe mund ta largohet në fund të sezonit.

Deri tani Pjanic ka luajtur 28 ndeshje me fanellën “blaugrana”, shumicën e të cilave ka ardhur nga pankina, por pa arritur të lërë gjurmë, duke mos gjetur ende golin e parë dhe së fundi në finalen e Kupës së Mbretit mbrëmjen e djeshme, mesfushori nuk ishte as në pankinë.

Ky është një sinjal i qartë që tekniku holandez Ronald Koeman nuk e sheh më boshnjakun si pjesë e projektit të tij te Barcelona dhe gjatë merkatos së verës katalanët do të shqyrtojnë me vëmendje të gjithë ofertat në drejtim të tij.

Futbollisti bëri 4 sezone të shkëlqyera me fanellën e Juventusit në periudhën 2016-2020, duke luajtur 178 ndeshje dhe shënuar 22 gola, teksa spikati veçanërisht në periudhën kur bardhezinjtë drejtoheshin nga Massimiliano Allegri.

Pikërisht e ardhmja e trajnerit italian mund të jetë mjaft e rëndësishme për mesfushorin boshnjak, pasi Allegri mund të kërkojë sërish Pjanic në skuadrën që do të drejtojë sezonin e ardhshëm.


Shtuar 18.04.2021 12:03