Pezullimi i Dukës, shtyhet seanca në Gjykatën e Apelit

Shtyhet seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit për vendimin e pezullimit të Armand Dukës dhe Ilir Shulkut. Shkak është bërë kërkesa e FSHF-së, e cila pretendon që t’i ndërrohet gjyqtari i çështjes.

“Referuar interesimit të medias për gjykimin në lidhje me masat e sigurimit ndaj zyrtarëve të FSHF, ju njoftojmë se avokati mbrojtës nuk qe dakord me përbërjen e trupit gjykues (z. Genti Shala) dhe kërkoi kohë të paraqesë me shkrim kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit.

Për t’i dhënë mundësi mbrojtësit që të paraqesë kërkesën në formën e kërkuar nga ligji, seanca gjyqësore u shty për më datë 18.03.2022 ora 10:00”, shkruhej në njoftimin e shpërndarë nga Gjykata e Apelit të Tiranës rreth çështjes në fjalë që është pasojë e hetimeve për parregullsitë në zhvillimin e zgjedhjeve në Shoqatën Rajonale të Tiranës.

Nga hetimet e deritanishme të prokurorisë ka rezultuar se në disa nga dosjet e ekipeve ka një numër më të vogël lojtarësh të federuar krahasuar me atë të deklaruar në sistemin “Comet”, i cili është sistemi që merret për bazë në lidhje me gjenerimin e të dhënave zyrtare për numrin aktiv të lojtarëve të federuar. Numri i lojtarëve të federuar është përcaktues sipas satutit të FSHF-së dhe Shoqatës Rajonale Tiranë për përfaqësimin në asamblenë e përgjithshme nga delegatët e çdo shoqate apo klubi pjesëtar.

Duke qenë se numri i lojtarëve të federuar, sipas sistemit “Comet”, nuk korrespondon me atë faktik në dosjet e klubeve, lind dyshimi i arsyeshëm se mund të jenë shtuar/regjistruar fiktivisht lojtarë të cilët nuk kanë kartelat përkatëse në dosjet e ekipeve. Për këtë arsye është vendosur edhe masa e pezullimit për Armand Dukën dhe Ilir Shulkun. Ndërkohë, edhe pse i pezulluar nga detyra, Armand Duka u rizgjodh në krye të FSHF-së.


Shtuar 18.03.2022 08:57