Përsëritet Calciopoli, në Belgjikë klubit legjendar mund t’i hiqet titulli

Në Belgjikë vijon të ketë vëmendje të madhe skandali i madh i trukimit të ndeshjeve, mashtrimeve, pastrimit të parave dhe disa akuzave të tjera që janë quajtur edhe me emrin “Footbelgate”, ndryshe edhe si Calciopoli në Itali,

Teksa janë 57 persona për t’u çuar në gjykim për akuzat e mësiperme, sot janë zbuluar disa akuza të reja që pritet të hetohen dhe që mund të sjellin një rezultat dramatik për futbollin belg.

Është ish presidenti i Standard Liege, Roland Duchâtelet ai që ka dhënë disa dëshmi duke akuzuar se në sezonin 2013-2014, titulli i fituar nga Anderlecht me 2 pikë më shumë se Standard, është rezultat i manipulimit të garave sportive.

Dhe sipas tij janë përfshirë disa lojtarë me emër në Belgjikë për të ndikuar në rezultatin e dy ndeshjeve, Anderlecht-Genk 11 maj 2014 (4-0) dhe Genk-Brugges 15 maj 2014 (3-2).

Gjatë takimit të parë, Vanden Borre, atëherë lojtar i Anderlecht, por ish lojtar i Genk, u ka shpërndarë ora luksoze kundërshtarëve “në këmbim të pasivitetit të tyre sportiv ose problemeve teknike që lehtësonin detyrën e kundërshtarit të tyre të ditës”. Ndërsa Mboyo, atëherë te Genk, ka bërë të njëjtën gjë gjatë ndeshjes tjetër me lojtarët e ekipit të tij “në këmbim të faktit që ata duhej ta luanin ndeshjen duke treguar përkushtim ekstrem”.

Këto akuza do të hetohen edhe më thellë dhe në rast vërtetësie, atëherë Anderlecht mund të humbasë titullin kampion të atij sezoni çka mund të sillte dhe fitimin e titullit nga ekipi i dytë që ishte Standard Liege.


Shtuar 15.02.2022 20:35