Sonte në mbrëmje, Shqipëria do të luajë ndeshjen më të rëndë sishme për kualifikueset e Botërorit dhe përballë do të ketë Serbinë, skuadër kjo që duhet mundur patjetër, për të marrë vendin e dytë në grup.
Motivimi te kuqezinjtë nuk mungon, për vetë historinë mes dy skuadrave, për atë që ndodhi në Beograd 11 vite më parë dhe për atë që është më e rëndësishmja, për objektivin që ka Shqipëria.
Ndeshja ndaj Serbisë, do të luhet në Leskovc, vetëm pak kilometra larg Kosovës, teksa në stadium nuk pritet që të ketë më shumë se 5 mijë tifozë, për shkak të dënimit që FIFA i ka dhënë federatës serbe të futbollit.
UDHËTIMI NË SERBI- Shqipëria ka fluruar ditën e djeshme në drejtim të Nishit, aty ku edhe është vendosur për ndeshjen e sotme. Fluturimi ka qenë direkt nga Tirana, teksa në aeroport janë shmangur edhe kontrollet e pasaportave dhe çdo procedurë tjetër burokratike, në mënyrë që të shmanget çdo incident diplomatik dhe gjërat të acarohen edhe më shumë. Nga aeroporti, ekipi është vendosur menjëherë në një nga aeroportet e qytetit, duke shmangur ndalesat.
SHOQËRIMI- Deri në mbrëmjen e djeshme, gjithçka ka shkuar mirë për kuqezinjtë, të cilët janë vendosur në hotel e më pas kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin e Leskovcit, ku edhe do të luhet ndeshja e sotme. Gjatë rrugëtimit për në hotel e për në stadium, nuk janë raportuar incidente, teksa të shumta kanë qenë forcat e sigurisë që kanë shoqëruar Kombëtaren tonë në udhëtimin e tyre.
GJENDJA E SKUADRËS– Fatmirësisht, skuadra është në gjendje optimale dhe të gjithë futbollistët që kanë udhëtuar në drejtim të Serbisë, janë të gatshëm për ndeshjen e sotme. Skuadra ka zhvilluar ditën e djeshme stërvitjen e fundit, aty ku trajneri Silvinjo ka pasur mundësinë që të provojë edhe idetë e tij të fundit, si edhe të ndajë formacionin me të cilin do të zbresë në fushë sot në orën 20:45.
TRANSMETIMI- Ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, do të transmetohet në Shqipëri nëpërmjet kanaleve Klan TV dhe Supersport. MOTI- Serbia dhe Shqipëria do të luajnë sot në mbrëmje në një kohë të freskët, ideale për një ndeshje futbolli. Temperaturat pritet të arrijnë në 12 gradë celcius, teksa nuk pritet të ketë reshje shiu, duke bërë që të luhet në kushtet më të mira të mund shme atmosferike.
HISTORIA- Shqipëria ka luajtur në Serbi 11 vite më parë, ku ndeshja në Beograd u mbyll pak minuta para fundit të pjesës së parë. Në qiellin e Beogradit, u shfaq flamuri i Shqipërisë Etnike, duke bërë që tifozët të hyjnë në fushë dhe të ndërpresin përfundimisht takimin. KASi vendoste asokohe që t’i jepte fitoren në tavolinë kuqezinjve me rezultatin 0-3, duke e ndihmuar jo pak në kualifikimin në Europian.
TIFOZËT– NË stadiumin e Leskovcit, pritet të ketë rreth 5 mijë tifozë, nga të cilët do të mungojnë ultrasit ose huliganët. Kjo për shkak se federata serbe ka vendosur të bëjë shpërndarjen e biletave nëpër shoqatat rajonale. Për shkak të marrëveshjes mes dy federatave, do të mungojnë tifozët shqiptarë, ashtu siç munguan edhe serbët në ndeshjen në Tiranë.