Përballë së kaluarës, premtimi i Granit Xhakës: Nëse shënoj gol kundër Arsenalit…

Sot, ora 18:30, Sanderlendi luan në shtëpi ndaj liderit, Arsenalit, në javën e 11-të të Premier Ligës. Ballafaqimi do të jetë i veçantë për kapitenin e Zvicrës dhe Sanderlendit, Granit Xhakën, që luan ndaj ish-skuadrës së tij.

33-vjeçari pjesën më të madhe të karrierës e ka kaluar tek Arsenali. Prej vitit 2016 deri në vitin 2023, Xhaka luajti 297 ndeshje për klubin londinez dhe fitoi katër trofe. Mesfushori ka respekt të madh për Arsenalin.

“Nuk do të festoj”, ka premtuar Xhaka, në rast se shënon golin e dytë në Premier Ligë.

“Do të thoja se kam kaluar kohë fantastike gjatë shtatë vjetëve tek Arsenali dhe kam respekt të madh për këtë klub”.

Arsenali është kryesues me 25 pikë, shtatë më shumë se Sanderlandi.

“Ky Arsenal është ekip shumë i fortë”, ka shtuar më tej lideri i Sanderlandit, sipas mediumit zviceran “SRF”. Sanderlendi ka humbur vetëm një nga tetë ndeshjet e fundit në kampionat dhe është pa humbje në pesë ndeshjet e fundit në “Stadium of Light”.


Shtuar 8.11.2025 13:39