Për herë të parë në histori: Pse janë kaq të veçanta medaljet Olimpike të këtij viti!

Një nga gjërat më të bukura për Lojërat Olimpike është edhe spektakli fantastik që shoqërohet me të, faktori “uou” që vjen së bashku me qindra vende që bashkohen për të festuar sportin globalisht. Por ndërsa magjepsja kalon, ka disa gjëra që mbeten (thuajse) përgjithmonë, si medaljet olimpike që atletët marrin në shtëpi pas përfundimit të garës. Kjo është edhe arsyeja pse dizajnet për medaljet e këtij viti janë kaq unike.

Në korrik të 2019-ës,  Komiteti Organizativ i Tokios i Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike zbuloi modelet e medaljeve, të cilat ishin përqendruar kryesisht në kulturën japoneze dhe mbrojtjen e mjedisit, për eventin e verës 2020.

Sipas faqes zyrtare Tokyo 2020, komiteti organizues nisi “Tokyo 2020 Medal Project” në prill të 2017-ës, për të mbledhur pajisje të vogla elektronike, si celularët e përdorur, për të nxjerrë materialet e nevojshme që duhen për të prodhuar medaljet Olimpike në një mënyrë miqësore për mjedisin.

Sipas The Science Times, rreth 79000 ton elektronikë e përdorur është dhuruar nga njerëz në gjithë Japoninë. Kjo më pas është reduktuar në bronz, argjend etj.

“Përafërsisht 5,000 medalje janë prodhuar nga pajisje të vogla elektronike që janë kontribut i njerëzve në gjithë Japoninë”, thuhet në faqen zyrtare të Lojërave Olimpike për këtë vit. “Ky projekt shënon vitin e parë në historinë e Lojërave Olimpike dhe Paraolimpike, që qytetarët përfshihen në prodhimin e medaljeve.”

Projektuesi i medaljeve, Junichi Kawanishi, ka përfshirë në dizajn edhe motive të frymëzuara nga kultura tradicinale japoneze. Edhe shiritat e bashkangjitur në medalje, janë përbërë nga material i riciklueshëm (fibra poliestër), që jep më pak dioksid karboni se fijet të tjera gjatë procesit të prodhimit.

Në Japoni, riciklimi është thelbësor në mirëmbajtjen e sistemeve të menaxhimit të mbetjeve në vend. Çdo vit, kombi është vazhdimisht në gjendje të riciklojë shumicën e mbeturinave të tij në një mënyrë apo në një tjetër: Në 2018-ën, vendi ricikloi 84% të mbetjeve të saj plastike. Për krahasim, SHBA ricikloi vetëm 9% të mbetjeve plastike në atë vit.

Shpresojmë që ky veprim t’i mësojë dhe ndërgjegjësojë njerëzit edhe më shumë për rëndësinë e angazhimit të veprimtarisë ekologjike në çdo fushë të jetës.


Shtuar 28.07.2021 15:20