Paul Pogbas iu vodh medalja e Kupës së Botës gjatë grabitjes në shtëpinë e tij

Mesfushori i Manchester Unitedit, Paul Pogba, ka njoftuar se i është vjedhur medalja e Kupës së Botës gjatë plaçkitjes që ndodhi në shtëpinë e tij.

Në një prononcim për gazetën franceze Le Figaro lidhur me incidentin, ai rikujtoi gjësendet që iu vodhën dhe mënyrën si mësoi se çfarë kishte ndodhur.

“Unë jam mirë, po ashtu edhe familja ime. Pata një javë paksa befasuese, me ndeshjen e Ligës së Kampionëve ku mësova se nuk do të luaja dhe kur shkova në shtëpi, kuptova se shtëpia ime ishte grabitur me hyrjen e tre personave që ma vodhën kasafortën”

“Aty ishin stolitë e nënës sime, medalja ime e Kupës së Botës…”, ka rrëfyer futbollisti.

“Ajo që më trembi më së shumti, është se dy fëmijët e mi ishin në shtëpi me dadon gjatë incidentit. Ajo dëgjoi gjithçka, e thirri gruan time dhe sigurimin, pastaj u mbyll me djemtë (një dhe dy vjeçar) në një dhomë. Për disa ditë më pas, ajo ishte në shok. Gjëja më e rëndësishme është që fëmijët e mi janë mirë”, shtoi tutje francezi.

Pogba, i cili e fitoi Kupën e Botës me Francën në vitin 2018, do të mbetet pa kontratë në fund të sezonit me Manchester Unitedin dhe është në pritje të verës për të vendosur rreth të ardhmes së tij. /albeu.com/


Shtuar 22.03.2022 23:45