Bruno Fernandes theksoi se ndihet “shumë krenar për të gjithë” në dhomat e zhveshjes së Manchester Unitedit, edhe pse ekipi pësoi një humbje të thellë 4-0 kundër Liverpoolit.
Në ndeshjen e parë me Mauricio Pochettinon në krye të pankinës, United u mposht në Anfield, ndërsa mysafirët luajtën për 82 minuta me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit të hershëm me karton të kuq të Leny Yoros.
None found
Kjo disfatë e la “Djajtë e Kuq” në vendin e 19-të të Ligës Premier. Për herë të parë që nga nëntori i vitit 1986, Manchester United ndodhet në dy pozicionet e fundit të renditjes pasi janë luajtur të paktën 10 javë kampionat. Atëherë skuadra renditej në vendin e 21-të.
Gjithashtu, tetë pikët e grumbulluara përbëjnë shifrën më të ulët për United-in pas 11 raundeve në një sezon të Premier Leagues, në periudhën kur fitorja vlen tri pikë, që nga sezoni 1972/73, kur ata kishin shtatë pikë.
Megjithatë, Fernandes zgjodhi të ndalojë te elementet pozitive të paraqitjes së tij dhe të skuadrës.
“Është tejet e dhimbshme, na lëndon thellësisht. Të shkosh te rivalët dhe të humbësh është gjithmonë e rëndë. Po kalojmë një moment të vështirë, por vetëm ne mund ta kapërcejmë këtë situatë.
“Të gjithë u angazhuan shumë. Rezultati nuk e pasqyron këtë dhe do të fshehë shumë gjëra të mira që bëri ekipi.
“Ne arritëm të krijonim ende mjaft raste për të tentuar diçka në këtë takim, edhe pse luanim me një njeri më pak. Fatkeqësisht, nuk ia dolëm të shmangnim edhe dy golat e tjerë në fraksionin e dytë.
“U shfaqëm shumë të guximshëm. Në disa momente e humbëm topin, por po përpiqeshim të luanim dhe të bënim diçka në ndeshje. Nuk patëm frikë.
“Në disa raste ndoshta luajtëm pak më tepër seç duhej dhe përfunduam duke pësuar gola. Por, më mirë të ndodhë kjo dhe të shoh besimin tek skuadra ime, duke u përpjekur të zbatojmë idetë tona, sesa thjesht të mbrohemi dhe të kemi frikë nga gjithçka që mund të bëjmë.
“Ne duam rezultate, por sot kjo nuk qe e mundur. Ka shumë gjëra për t’i analizuar dhe unë pashë shumë karakter te skuadra. Rezultati nuk e tregon këtë, por jam shumë krenar për të gjithë në dhomën e zhveshjes”, u shpreh portugezi.
Kartoni i kuq i Yoros ishte më i hershmi i marrë nga një lojtar i Manchester Unitedit në një takim të Ligës Premier. Mbrojtësi u ndëshkua për ndërhyrje si mbrojtësi i fundit ndaj Alexander Isakut.
Sidoqoftë, Fernandes kritikoi vendimin e arbitrit, duke theksuar se Isak nuk e kishte kontrollin e topit dhe për këtë arsye shoku i tij nuk duhej të merrte të kuq.
“Pas 15 minutash, gjithçka ndryshoi në ndeshje dhe kjo na e bëri shumë të vështirë.
“Është një vendim që duhet analizuar. Kemi zhvilluar shumë takime me gjyqtarët që të mos përsëriten gjëra të tilla. Në rastin e fundit kundër Chelseat, mund të jepej karton i kuq për Lisandro Martinezin dhe ndoshta edhe kartoni i dytë i verdhë.
“Sot nuk mund të jepet karton i kuq. Është shumë e qartë se na kanë shpjeguar që nëse lojtari nuk e ka kontrollin e topit, atëherë nuk është asnjëherë karton i kuq.
“Isak e godet topin përpara dhe ai përfundon në duart e Senne Lammensit. Isak nuk e kontrollon topin dhe nuk ka asnjë shans ta arrijë atë. Ai e vendos këmbën përpara vetëm për të përfituar diçka nga Leny.
“E kuptoj që u rrëzua, por kjo nuk është kurrë karton i kuq. Ka shumë gjyqtarë në fushë dhe shumë të tjerë në VAR, të cilët marrin kaq shumë kohë për ta shqyrtuar një rast, e megjithatë bëjnë një gabim të tillë që mund ta ndryshojë tërë ndeshjen.
“Nuk është për shkak të tyre që pësuam golin nga goditja e lirë, por vendimi e ndryshon tërësisht ndeshjen”, përfundoi Fernandes.
Statistikat e penalltive të Kylian Mbappes te Real Madridi zbulojnë një dallim të madh në efikasitetin e tij, varësisht nga…
Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski hedh poshtë pretendimet se shtylla e dytë e pensioneve po hiqet…
Pierre-Olivier Costa, ish-shefi i kabinetit dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron,…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mund të shqyrtojë mundësinë e ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën -…
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qëndruar të dielën në Tetovë, ku është pritur nga kryetari i Komunës, Bilall Kasami.…
Stadiumi i Orikut Ndryshe nga sa u ngritën pretendimet nga ana e Kukësit mbi dhunën e ushtruar ndaj lojtarëve dhe…