Një fitore e rëndësishme në Ligën e Kampioneve ndaj Sporting Lisbonës është shoqëruar me një aventurë të pakëndshme për skuadrën e Mançester Sitit.
Pas fitores 5-0 në Portugali, skuadra e Pep Guardiolës ishte parashikuar të kthehej gjatë pasdites në Mançester, por një peripeci e papritur gjatë fluturimit ka dërguar avionin në Liverpul.
Stuhia Dadlei e cila po kalon mbi Britaninë e Madhe, detyroi avionin e klubit të bënte disa fluturime mbi aeroportin e Mançesterit pa arritur të ulej në të. Situata atmosferike bëri të pamundur uljen e avionit çarter ndaj u vendos që fluturimi të ndryshonte destinacion, duke iu drejtuar Liverpulit.
Klubi bëri të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale gjatë darkës se ekipi më pas ishte ulur shëndoshë e mirë në Liverpul, ndërsa hartat e fluturimit tregojnë qartësisht rrotullimet që kishte bërë avioni në tentativën për të çuar ekipin në destinacionin fillestar. /PanoramaSport/