Nuk ka fitues pas 90 minutave, ndeshja Portugali-Spanjë shkon në vazhdime

Ka përfunduar me rezultat të barabartë 2-2 pas 90 minutave finalja e Ligës së Kombeve mes Portugalisë dhe Spanjës.

Joao Neves rrezikoi i pari në minutën e pestë, por goditja e tij shkoi larg shtyllës së portierit Unai Simon.

Në minutën e 17-të Nico Williams pati një mundësi për gol, por goditja e tij përfundoi mbi traversë.

‘Furia e Kuqe’ kaloi në avantazh në minutën e 21-të përmes Martin Zubimendit i cili u gjend në kohën e duhur dhe në vendin e duhur për të shënuar.

Portugezët reaguan shpejtë duke barazuar shifrat vetëm pesë minuta më vonë me anë të Nuno Mendes (26’) i cili realizoi një gol të bukur për 1-1.

Pak çaste pa përfunduar pjesa e parë, Spanja e riktheu sërish avantazhin, kësaj radhe përmes Mikel Oyarzabal që realizoi për 2-1 në minutën e 45-të pas asistimit të Pedrit.

Në pjesën e dytë Cristiano Ronaldo shënoi në minutën e 61-të për të barazuar rezultatin në 2-2.

Ronaldo në minutën e 86-të u detyrua të largohej nga loja për shkak të një problemi muskular.

Deri në fishkëllimën e fundit të gjyqtarit nuk pati më ndryshim të rezultatit dhe tani do të luhen vazhdimet dy herë nga 15 minuta për t’u përcaktuar fituesi.

Në rast se nuk ka fitues as pas 30 minutave lojë, atëherë do të ekzekutohen penalltitë.


Shtuar 8.06.2025 22:53