Nuk ka fitues në “Loro Boriçi”, Vllaznia e nis me barazim aventurën evropiane (VIDEO)

Është mbyllur në barazim 1-1 sfida mes Vllaznisë dhe Universitatea Craiovës, me sfidën e luajtur në “Loro Boriçi”, e vlefshme për turin e dytë të Conference League.

Pjesa e parë mes Vllaznisë dhe Universitatea Craiovës në “Loro Boriçi” ishte e luftuar mes të dyja ekipeve të cilat provonin të shënonin.

Miqtë arritën që në minutën e 38-të të gjenin rrugën e rrjetës, por goli do të anulohet për pozicion jashtë loje nga gjyqtari kryesorë i takimit.

Përsëri goli i avantazhit për skuadrën mike nuk do të vononte, pasi do të shënonin me anë të një penalltie në minutat shtesë të pjesë së parë.

Në fraksionin e dytë shkodranët e Mirel Josës do ta nisnin më mirë, teksa në minutën e 51-të do të barazoheshin shifrat në “Loro Boriçi”. Ardit Hoxhaj do të çonte shifrat 1-1. Gjithë festa në kampin kuqeblu.

Vllaznia merr zemër, teksa raste të pastra për të shënuar në portën kundërshtare, por të besuarit e Josës nuk mundën të finalizonin rastet e krijuara.

Deri në fund kjo sfidë nuk prodhoi gola të tjerë, me takimin që mbyllet 1-1, me skuadrat që lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet më 28 korrik.