Bjorn Mannsverk është një prej njerëzve që kanë ndikuar në transformimin e Bodo/Glimt, duke sjellë në klub përvojën e tij si ish-pilot i Forcave Ajrore norvegjeze dhe duke ndihmuar në forcimin e përgatitjes psikologjike të lojtarëve.
None found
Bodo/Glimt ka kaluar nga një klub modest norvegjez në një skuadër që tashmë gëzon respekt në arenën evropiane. Përtej cilësive sportive, një pjesë e rëndësishme e këtij progresi lidhet me mënyrën e veçantë të punës me mentalitetin e futbollistëve. Në këtë proces, rol të rëndësishëm ka luajtur Mannsverk, i cili ka shërbyer për më shumë se 20 vjet në Forcat Ajrore norvegjeze si pilot luftarak.
Ai iu bashkua klubit në vitin 2017, një vit pasi Bodo/Glimt kishte rënë nga elita e futbollit norvegjez. Drejtori sportiv i asaj kohe, Havard Sakariassen, mendonte se skuadra nuk vuante nga mungesa e talentit, por nga një dobësi e theksuar psikologjike. Sipas tij, ekipi kishte kaluar një kolaps kolektiv në aspektin mendor dhe duhej gjetur një mënyrë për ta kapërcyer atë.
Gjatë karrierës ushtarake, Mannsverk kishte përdorur metoda për përqendrimin e mendjes, edhe gjatë operacioneve në Libi. Përvoja e tij e bëri një figurë jo të zakonshme në botën e futbollit, por pikërisht ky formim i ndryshëm u kthye në një element dallues të projektit të Bodo/Glimt.
“Duhet të përqendrohemi te gjërat që mund t’i kontrollojmë dhe të jemi sa më të përgatitur”, ka thënë Mannsverk për “GOAL”, duke shpjeguar parimet që kishte ndërtuar gjatë viteve të shërbimit në ushtri.
Ndikimi i tij u pa shpejt në rastin e mesfushorit Ulrik Saltnes. Ai kishte menduar të hiqte dorë nga futbolli për shkak të problemeve të vazhdueshme me stomakun, por pasi u përfshi në programin e përgatitjes mendore, realizoi 15 gola në 30 ndeshje në kategorinë e dytë. Në të njëjtin vit, 2017, Bodo/Glimt siguroi rikthimin në elitë.
“Kur sheh një ndryshim kaq të madh, të gjithë fillojnë të besojnë më shumë në të. Kemi pasur histori të bukura që në fillim, të cilat e kanë forcuar këtë projekt”, ka deklaruar Mannsverk.
Pas dy vitesh pune, vëmendja u përqendrua edhe më shumë te performanca individuale, përqendrimi dhe menaxhimi i situatave që nuk varen nga futbollistët. Ideja ishte që lojtarët të mos harxhonin energji duke u shqetësuar për kundërshtarin apo për mundësitë negative, por të fokusoheshin te detyrat e tyre.
Ky ndryshim u shoqërua me rezultate historike. Në vitin 2020, Bodo/Glimt fitoi për herë të parë titullin kampion, pas një sezoni të jashtëzakonshëm ku regjistroi 26 fitore në 30 ndeshje dhe shënoi 103 gola.
Një vit më pas, skuadra e mbrojti titullin, ndërsa kampionati u fitua sërish në vitet 2023 dhe 2024.
Në të njëjtën kohë, klubi nisi të avanconte në kompeticionet evropiane, duke kaluar nga Liga e Konferencës në Ligën e Evropës dhe më pas në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, Mannsverk nuk pranon ta paraqesë veten si arkitektin e vetëm të këtij suksesi.
“Nuk ka një sukses të tillë që vjen nga një person i vetëm. Nuk ka zgjidhje të shpejtë dhe nuk është mrekulli. Kjo arrihet sepse shumë njerëz kanë investuar në këtë projekt për një kohë të gjatë. Kemi ndërtuar diçka së bashku”, ka theksuar ai.
Momenti më i madh i këtij zhvillimi erdhi në sezonin 2025/26, kur Bodo/Glimt u kualifikua në fazën e 16 skuadrave më të mira të Ligës së Kampionëve. Rruga deri aty ishte veçanërisht e vështirë, pasi skuadra nuk kishte fituar asnjë nga pesë ndeshjet e para të fazës së ligës dhe ndodhej pranë eliminimit.
Tri paraqitje të mëdha në takimet e fundit ndryshuan gjithçka. Bodo/Glimt mori rezultat pozitiv në transfertën ndaj Borussia Dortmundit, mposhti Manchester Cityn dhe fitoi kundër Atletico Madridit. Më pas, në fazën e play-offit, eliminoi Interin me rezultatin e përgjithshëm 5-2.
Sipas Mannsverkut, skuadra shpesh shfaqet në nivel më të lartë kur hyn në ndeshje si e pafavorizuar. Para tri sfidave të fundit të fazës së ligës, shanset e Bodo/Glimt për të kaluar më tej llogariteshin vetëm në 0.1 për qind.
“Kur dukej se nuk kishim më shpresë, nuk kishim frikë dhe asgjë për të mbrojtur. Atëherë filluam të luanim më mirë”, ka shpjeguar ai.
Megjithatë, aventura në Evropë përfundoi në mënyrë të hidhur përballë Sportingut. Pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë, Bodo/Glimt u mposht 5-0 në Lisbonë pas vazhdimeve dhe u eliminua. Mannsverk e pa këtë humbje edhe si një rast tjetër për të punuar me aspektin psikologjik të ekipit.
Ai u kërkoi lojtarëve të mos i shmangnin emocionet e krijuara pas disfatës, mes tyre zhgënjimin dhe turpin. Sipas tij, përballja e drejtpërdrejtë me këto ndjenja mund t’i ndihmojë futbollistët të reagojnë më mirë kur të gjenden në situata të ngjashme.
Qasja e Mannsverkut nuk mbështetet te ndryshimet e menjëhershme, por te hapa të vegjël dhe të pandërprerë. Ai e krahason zhvillimin e klubit me ndërtimin “tullë pas tulle”, ku çdo sektor, nga lojtarët dhe stafi mjekësor deri te përgatitja dhe rikuperimi, luan rol në progresin afatgjatë.
Përgatitja mendore merr rëndësi të veçantë te Bodo/Glimt edhe për shkak të kalendarit norvegjez, ku sezoni zhvillohet nga prilli deri në nëntor. Kjo periudhë lë pak kohë për pushim dhe përgatitje të specializuar, sidomos kur skuadra ka njëkohësisht edhe angazhime në Evropë.
Mannsverk e konsideron thelbësore ruajtjen e energjisë, rikuperimin dhe respektimin e rutinave. Ai këmbëngul se skuadra nuk duhet të ndryshojë mënyrën e përgatitjes vetëm sepse përballë ka një kundërshtar të madh evropian.
“Ne besojmë se bëhesh i mirë në atë që praktikon. Nëse i përsërit rutinat, ato bëhen pothuajse automatike. Nuk ka rëndësi nëse përballë ke Atletico Madridin apo Rosenborgun. Është një ndeshje futbolli dhe ne përgatitemi në të njëjtën mënyrë”, ka deklaruar ai.
Historia e Bodo/Glimt tregon se suksesi nuk është produkt i një formule të vetme. Ai është ndërtuar përmes kombinimit të cilësisë në fushë, përgatitjes së kujdesshme, përqendrimit dhe qëndrueshmërisë psikologjike. Edhe pse Mannsverk nuk kërkon merita personale, puna e ish-pilotit luftarak mbetet një pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të jashtëzakonshëm të klubit norvegjez.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim ndaj Gani Gecit, i dyshuar për veprën penale të kanosjes. Sipas…
Dukagjini dhe Vushtrria takohen në kuadër të javës së nëntë të Superligës së Kosovës, në një përballje ku dy ekipet…
Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) në Tetovë ka akuzuar pushtetin komunal se po tenton të privatizojë stacionin e zjarrfikësve përmes…
MPB-ja dhe FBI-ja kanë realizuar një operacion të përbashkët kundër krimit kibernetik, duke zbuluar administratorin e platformës ilegale “OLVX“, përmes…
Zhvillime të reja në protestën që po zhvillohet në Tiranë, ku protestuesit, me thirrjet “Ta djegim Parlamentin”, kanë lënë Rrugën…
Mikel Merino ka deklaruar se synimi i Arsenalit këtë sezon është të fitojë çdo trofe të mundshëm, duke besuar se…