Nga grupet e Ligës së Konferencës te ftesa në Kombëtare, rrëfimi i Klisman Cakes: Ju tregoj ndeshjen më emocionuese në karrierë ku na duhej…

Në një lidhje live për emisionin “Mega Sport”, Klisman Cake po kalon një moment të artë te skuadra e Shkëndijës, duke shkuar historinë me kuqezinjtë.

Mbrojtësi pogradecar, ka treguar ndeshjen më emocionuese në karrierë si dhe ka lënë të hapur mundësinë e largimit nga tetovarët në fund të sezonit.

“Fitorja me Bratislavën na bëri shumë mirë, tani jemi perfekt. Premiot mbeten brenda klubit. Kam kontratë deri në verë. Padyshim që është më mirë se në Shqipëri.

Niveli është njësoj si në Shqipëri. Në Shqipëri është plus infrastruktura dhe media, që janë më lartë. Grupet Shkëndija i kishte kërkuar vite me radhës. Ka shkuar 3 herë në “Play Off” të Europa Leagues, atmosfera është perfekt. Të gjithë e kanë pasur rëndësinë e vetë, besoj se kishte ardhur koha, si me Caken si pa Caken.

Nuk e di si u ndjeva kur më erdhi ftesa nga Silvinjo, nuk e besova. Nuk e prisja. Më dukej sikur isha në ëndërr.Gjëja kryesore për tu mbajtur mend do të jetë fitorja në Serbi, sesa kur debutova në miqësore. Më shumë u emocionova me atë fitore. Ajo mund të jetë në karrierë ndeshja më emocionuese që kam marrë pjesë. Mjafton që isha aty i pranishëm. Kur bëri golin Manaj na duhej kardiologu.

Duam të shkojmë në Amerikë, ai është synimi. Me Shkëndijën duam të kalojmë grupin. Kemi shumë mundësi. Të shikojmë çfarë do bëhet. Me shumë mundësi e kalojmë edhe këtë fazë. Është duke u punuar për stadiumin e ri, për 1 vit do bëhet.

Telefoni bie non stop, të shikojmë çfarë do ketë. Dëshirën e kemi të gjithë të luajmë te Reali, por të shikojmë ku do jenë mundësitë”, deklaroi Cake.


Shtuar 15.12.2025 08:24