Luçiano Spaleti, trajneri i Juventusit, foli në konferencë për shtyp pas ndeshjes së Champions League kundër Pafos, ku bardhezinjtë triumfuan me rezultatin 2 me 0.
Në pjesën e dytë jeni transformuar krejtësisht…
“Në fund të pjesës së parë u përpoqa t’u shpjegoja djemve mënyrën e re të qëndrimit në fushë për pjesën e dytë. Pastaj folëm për situatat që përjetuam, sepse pati interpretime që ishin të vështira për t’u kuptuar. Mund ta kuptoj kur topin e kanë kundërshtarët, por kur e kemi ne topin duhet ta komandojmë dhe ta drejtojmë ne ndeshjen. Edhe në situata të thjeshta duket që është një moment i veçantë. Ndoshta kjo fitore do të na ndihmojë, por në pjesën e parë vuajtëm shumë dhe krijuam pak. Ne duhet të kishim më shumë ekuilibër dhe të krijonim më shumë probleme”.
Për fishkëllimat në pjesën e parë…
“Nuk dua të mendoj që skuadra ndikohet nga sjellja e tifozëve. Por kur i kemi tifozët në krah kemi më shumë energji. Pas golit të dytë, kur stadiumi u përfshi, ishte vërtet bukur. Nëse tifozët na ndihmojnë, ne i falënderojmë. Stadiumi ishte plot dhe mund vetëm t’i falënderoj të gjithë”.
Sa ju mungon Vlahovic?
“Qëndërsulmuesi duhet të ketë karakteristika të caktuara. Vlahoviç do ta kem vetëm pas disa muajsh dhe deri atëherë duhet të përdor strategji të tjera. Dejvid është një lojtar që di të trajtojë topin dhe mund të shërbejë si pikë referimi për shokët. Ne duhet të kalojmë përmes lojës, sepse nëse humbasim ekuilibrin, rrezikojmë shumë. Ky 4-2-3-1 është një skemë që dua ta shoh në praktikë kur të kem mundësinë. Yildiz mund të luajë si qendërsulmues, por duhet t’i pasosh topin mirë, sepse nëse i jep një top të fortë nuk ia del dot”.
A keni kërkuar diçka nga merkatoja?
“Është e qartë që nëse flasim për këto gjëra, do të ishte një ndihmë për të gjithë. Por unë duhet të merrem me këtë skuadër. Kam entuziazëm dhe besoj te ky grup. Fatkeqësisht nuk kam kohë të mjaftueshme për të stërvitur siç dua, sepse kemi tentuar të provojmë gjëra, por nuk kam mundur të ndërhyj sa duhet. Kam besim te cilësitë e tyre dhe kam besim te vetja ime. Te vetja ime besoj sepse kështu kam ardhur te Juventusi. Nesër në mëngjes do të zgjohem dhe do të përpiqem të bëj maksimumin. Bota e Juves është një botë e yjeve, me bashkëpunëtorë të një cilësie të jashtëzakonshme. Pastaj, natyrisht, nëse nuk bën rezultate, shkon në shtëpi – dhe prapë është në rregull”.
A është i qëndrueshëm 4-2-3-1?
“Çdo gjë është e mundur, por në këtë moment jo. Në disa faza të lojës mungon substanca dhe mungon ekuilibri në fazën mbrojtëse. E rregulluam ndeshjen me katër lojtarë ofensivë, por duhet parë nëse të tjerët gjashtë munden ta përballojnë. Është çështje kohe”.
