Prej vitesh, largimi drejt vendeve evropiane ka qenë synim i shumë të rinjve shqiptarë, të joshur nga kushtet më të mira të jetesës, mundësitë ekonomike, si dhe zhvillimi i arsimit e shëndetësisë në këto shtete.
Ideja që dikush të linte Evropën për t’u kthyer në Kosovë dhe për të ndërtuar këtu karrierën e tij dukej e pamendueshme për shumëkënd. Megjithatë, kjo qasje ka ndryshuar. Gjithnjë e më shumë shqiptarë të diasporës po rikthehen në vendlindjen e të parëve, për të kontribuar në fusha të ndryshme, veçanërisht në sport.
None found
Në mesin e tyre janë edhe futbollistë që kanë braktisur Gjermaninë ose Zvicrën për t’iu bashkuar klubeve kosovare dhe, në disa raste, edhe Kombëtares së Kosovës.
Arjanit Fazlija dhe Dior Gerbovci janë dy prej këtyre emrave. I pari la Gjermaninë për FC Prishtinën, ndërsa i dyti u largua nga Zvicra për të luajtur fillimisht në Gjilan. Vendimi i tyre lidhet para së gjithash me dëshirën për të avancuar në karrierën sportive.
Fazlija, në një intervistë për Telegrafi Diasporë, ka treguar se futbolli ishte shtysa kryesore për kthimin e tij në Kosovë. I lindur në Koln të Gjermanisë, mesfushori defensiv u formua në akademinë e Viktoria Kolnit, përpara se të kalonte te Bayer Leverkuseni U19, ku luajti nga viti 2022 deri më 2024. Më pas, ai vazhdoi rrugëtimin te Greuther Fürth II.
Futbollisti e ka përfaqësuar Kosovën në grupmoshat U15, U17 dhe U19, ndërsa më pas edhe te U21-shi. Me përfaqësuesen U21 ka zhvilluar 10 ndeshje dhe ka shënuar një gol.
“Arsyeja kryesore e kthimit tim në Kosovë ishte karriera ime si futbollist. Futbolli ma dha këtë mundësi dhe unë vendosa ta ndjek këtë rrugë. E dija që më parë se jeta në Kosovë është më e përqendruar te familja sesa në Gjermani. Megjithatë, nuk e prisja që të ishte kaq shumë e orientuar nga familja. Kur e mendoj tani, e kuptoj se, në këtë aspekt, këtu është edhe më këndshëm sesa e kisha imagjinuar”, tha ai.
Edhe Dior Gerbovci vendosi të rikthehej në Kosovë për shkak të futbollit. Ai u rrit sportivisht në Zvicër, ku kaloi në akademinë e Zürichut dhe te Grasshoppersi. Në fillim të vitit 2026 u transferua te Ferizaj, ndërsa gjatë verës së po atij viti iu bashkua SC Gjilanit.
Gerbovci ka luajtur për Kosovën në nivelin U19, ku ka regjistruar 12 paraqitje dhe tri gola. Në prononcimin e tij për Telegrafi Diasporë, ai foli edhe për pritjen në klub dhe për ndryshimet që ka hasur mes futbollit kosovar dhe atij zviceran.
“Njerëzit këtu janë më të dashur dhe më të qasshëm. Kam gjetur ngrohtësi në klub, te shokët e skuadrës dhe njerëzit që e rrethojnë klubin. Normalisht, unë kam kaluar mirë edhe në klubin e GC Zurich, aty ku jam rritur dhe zhvilluar si futbollist, por këtu kam më shumë bashkëlojtarë që flasin shqip dhe ndihem më i lirshëm. I vetmi problem që qëndron këtu janë fushat, ambientet sportive. Një pjesë e madhe e fushave janë sintetike dhe normalisht që për ne lojtarët janë problem. Kemi filluar edhe të adaptohemi, mirëpo krahasuar me fushat natyrale dhe stadiumet në Zvicër, kuptohet që dallojmë shumë”, shtoi futbollisti.
Një prej dallimeve të dukshme mes dy realiteteve është edhe ana financiare, pasi futbolli në vendet evropiane zakonisht ofron pagesa më të larta.
Megjithatë, për Fazlijën niveli i të ardhurave nuk përcaktohet vetëm nga shteti ku luan një futbollist.
“Mendoj se gjithçka varet nga klubi për të cilin luan dhe nga mënyra se si e negocion kontratën. Gjithçka reduktohet te raporti mes ofertës dhe kërkesës. Sigurisht, në Gjermani mund të fitosh dukshëm më shumë nëse je një nga futbollistët më të mirë atje. Pra, varet shumë nga situata jote personale dhe nga klubi”, tha Fazlija.
Gerbovci, ndërkohë, thekson se aktualisht përparësi ka zhvillimi në fushën e lojës dhe jo përfitimi financiar.
“Këtu jemi për karrierën sportive, familje dhe të ardhmen. Nuk po e shikoj njëherë aspektin financiar, pasi që projekti sportiv për zhvillimin tim është në radhë të parë. Besoj shumë në potencial dhe të ardhmen, ndaj aspekti financiar do të vijë në shprehje më vonë për mua. Por, kam parë që edhe në Kosovë financat janë rritur shumë dhe futbollistët paguhen mirë”, tha Gerbovci.
Asnjëri prej tyre nuk e sheh të ardhmen të lidhur domosdoshmërisht me një klub apo me një vend të vetëm. Për të dy, rëndësi ka përvoja e fituar dhe mundësia për të ecur përpara.
Fazlija, i cili është 21-vjeçar, e konsideron ende të hershme një vendim për të qëndruar gjatë në Kosovë.
“Jam në moshën 21-vjeçare, mendoj se është ende herët të them se dua të qëndroj vetëm në Kosovë. Jam dikush që dëshiron të njoh vende e mjedise të tjera dhe të fitoj përvoja të reja. Prandaj, po i marr gjërat ashtu siç vijnë dhe jam kurioz të shoh se në cilat vende do të luaj e do të jetoj përfundimisht. Për momentin, po e mbaj mendjen të hapur dhe po pres të shoh se çfarë rezervon e ardhmja”, ka thënë Fazlija për Telegrafin.
Edhe Gerbovci synon që eksperienca në Kosovë ta ndihmojë të ngjitet në nivele më të larta.
“Synimi im është që nga kjo ligë dhe nga kjo eksperiencë të marr përvojën e duhur dhe të ngrihem në nivelet më të larta. Nuk lidhem për vendin se ku ndodhem, por për atë se ku do të shkoj në të ardhmen. Po mendoj vetëm në paraqitjet e mia dhe performancën time. T’i ndihmoj ekipit, t’i ndihmoj klubit t’i arrijë objektivat dhe së bashku të bëjmë hapat përpara”, ka thënë ai.
Rikthime të ngjashme kanë bërë edhe futbollistë të tjerë me përvojë në Evropë. Besar Halimi la Gjermaninë për FC Drita, ndërsa Toni Domgjoni u largua nga Zvicra për FC Ballkani. Sot, të dy konsiderohen ndër lojtarët më të spikatur të ligave kosovare.
Halimi ka lindur në Frankfurt të Gjermanisë dhe luan si mesfushor ofensiv. Aktualisht është pjesë e Dritës së Gjilanit. Pjesën më të madhe të karrierës e ka zhvilluar në futbollin gjerman, ku ka luajtur për Nurnberg, Stuttgart, Mainz 05 dhe SV Sandhausen.
Karriera e tij përfshin gjithashtu aventura te Brondby në Danimarkë, Riga FC në Letoni, Slask Wrocław në Poloni dhe Raja Casablanca në Marok. Me Kosovën debutoi në vitin 2015, ndërsa deri tani ka 34 paraqitje dhe tri gola, të shënuara ndaj Letonisë, Lituanisë dhe Spanjës.
Pas përvojës në disa kampionate të huaja, Halimi është rikthyer në futbollin kosovar, ku synon që eksperienca e tij t’i shërbejë Dritës dhe zhvillimit të futbollit në vend.
Një tjetër emër i rëndësishëm është Ton Domgjoni. I lindur në Koprivnicë të Kroacisë dhe i rritur në Zvicër, ai aktualisht luan për Ballkanin. Domgjoni u formua te akademia e FC Zürichut dhe më vonë u bë pjesë e ekipit të parë, me të cilin zhvilloi mbi 100 paraqitje dhe fitoi Kupën e Zvicrës në sezonin 2017/18.
Më pas, ai luajti për Vitesse në Holandë dhe FC Koper në Slloveni, përpara se t’i bashkohej Ballkanit në vitin 2026. Në nivel përfaqësues, Domgjoni ka luajtur për Zvicrën në grupmoshat e reja, përfshirë U21-shin, por më vonë zgjodhi të përfaqësonte Kosovën.
Me fanellën e Kosovës debutoi më 24 mars 2022, në fitoren 5-0 ndaj Burkina Fasos. Në atë ndeshje shënoi edhe golin e parë për përfaqësuesen. Në total, ai ka regjistruar katër paraqitje dhe një gol me Kosovën.
Rastet e Fazlijës, Gerbovcit, Halimit dhe Domgjonit tregojnë se rikthimi nga diaspora në futbollin kosovar nuk është më një ide e pamundur. Përkundrazi, potenciali i vendit dhe mundësitë për të rinjtë po krijojnë gjithnjë e më shumë hapësira për zhvillim dhe sukses.
Reperi i njohur nga Kosova, Capital T, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për qytetarët që po protestojnë në Shqipëri,…
Nico Paz po vazhdon të shkëlqejë me fanellën e Comos, argjentinasi ishte protagonist i një tjetër mbrëmjeje të madhe, duke…
Gjykata e Apelit në Shkup ka arsyetuar vendimin për anulimin e aktgjykimit lirues për babanë e Vanja Gjorçevskës, Aleksandar Gjorçevski,…
Partia Popullore Evropiane (EPP), familja më e madhe politike në Bashkimin Evropian, ka reaguar publikisht lidhur me situatën alarmante dhe…
Në mes të krizës politike dhe presioneve të vazhdueshme nga lëvizja protestuese në rrugë, qeveria ka njoftuar miratimin e dy…
Një sërë faqesh interneti dhe shërbimesh publike në disa vende të botës janë vënë jashtë funksionit si masë paraprake, pas…