Frederik Veseli ishte një nga dy lojtarët e kombëtares shqiptare që doli në konferencë për shtyp këtë të martë, për të folur për dy sfidat e radhës të kuqezinjëve ndaj Anglisë dhe Andorras. Mbrojtësi i Salernitanës beson ende se kuqezinjtë mund të realizojnë një mrekulli në këto eliminatore.
“Atmosfera është e mirë deri tani. Te mrekullitë besoj gjithmonë, më shumë sesa një mrekulli është një ëndërr për ne të shkojmë në play-off, ne do të japim maksimumin. Më vjen keq për humbjen ndaj Polonisë pasi u paraqitëm mirë, shpresoj që ndaj Anglisë të bëjmë më mirë se ndaj polakëve”.
Të luash ndaj një sulmuesi si Harry Kane, apo edhe lojtarëve si Sterling e Grealish është gjithmonë e vështirë për një mbrojtës dhe këtë e ka mëse të qartë Veseli.
“Edhe në ndeshjen e parë ndaj Anglisë kemi bërë një paraqitje të mirë. Premier League është një kampionat shumë i fortë dhe përballë sulmuesish të kalibrit si të Harry Kane misioni vështirësohet gjithmonë, por ne duam të japim maksimumin për të treguar veten, pasi të luash ndaj sulmuesve si Harry Kane është diçka e madhe për një mbrojtës”.
Veseli komentoi edhe situatën e tij te klubi i Salernitanës ku është aktivizuar shumë pak në këtë sezon.
“ Kam qenë me Covid, për 2 javë kam qëndruar i izoluar në shtëpi dhe kjo është një nga arsyet që kam luajtur pak gjatë kësaj periudhe me klubin tim Salernitana, gjithsesi unë jam gati, ndihem në formë dhe do të jap maksimumin tim me kombëtaren ashtu siç kam bërë gjithmonë edhe në këto dy ndeshje, nëse trajneri më hedh në fushë”.
Në lidhje me mungesën e Gjimshitit, Veseli theksoi se do të ketë ndikimin e vetë.
“E vuajmë mungesën e Gjimshitit ashtu siç vuajmë edhe mungesat e tjera në këtë moment. Berati është një lojtar me shumë cilësi ashtu siç ka treguar te Atalanta në vitet e fundit. Mungesa e tij do të ndihet, por ne që do luajmë do përpiqemi ta zëvendësojmë në mënyrën më të mirë, ashtu siç bëra unë në grumbullimin e kaluar. Kemi dhe mungesa të tjera dhe ky fakt na penalizon, por ne e bazojmë forcën tonë te grupi”.