Ndeshja Shqipëri-Serbi, formacioni i mundshëm/ Kombëtarja zhvillon seancën e dytë, Manaj nuk stërvitet me grupin, balotazh për katër emra

Pasditen e djeshme (3 qershor), Kombëtarja shqiptare e futbollit, ka zhvilluar seancën e dytë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026 ndaj Serbisë dhe Letonisë, të cilat luhen më 7 (Tiranë) dhe 10 qershor.

Të gjithë lojtarët i janë bashkuar ekipit në grumbullim. Në stërvitjen e fundit nuk mori pjesë vetëm Rey Manaj, i cili po kalon një gjendje gripale dhe po mbahet në monitorim nga stafi mjekësor i Kombëtares.

Stafi teknik i drejtuar nga trajneri Sylvinho, zhvilloi stërvitje tekniko-taktike me lojtarët. Ditën e sotme, ekipi do të zhvillojë stërvitjen e radhës pasdite (17:00), e cila do të jetë e hapur për mediat në 15 minutat e para.

Trajneri Sylvinho, duket se e ka krijuar një ide sesi do përballojë ekipin serb, që veç cilësive teknike kanë armë të fortë edhe anën fizike dhe centimetrat në fushë. Balotazh në mbrojtje si edhe në sulm.

Në histori dy skuadrat janë përballur shtatë herë. Nëse heqim fitoren 0-3 në tavolinë të Shqipërisë (14 tetor 2014), Serbia na ka mposhtur pesë herë dhe skuadrat në një rast janë ndarë në barazim.

Katër gola ka shënuar ekipi ynë, kundrejt 15 të pësuarve. Duket se ka ardhur koha që Shqipëria të fitojë në fushë kundër Serbisë.

Formacioni i mundshëm:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu (Hysaj), Kumbulla (Ismajli), Gjimshiti, Mitaj; Asllani, Ramadani, Laçi; Bajrami, Broja, Manaj Trajner: Sylvinho


Shtuar 4.06.2025 10:41