Ndeshja me Juventusin nuk është vendimtare, trajneri i Interit bën deklaratën e forte para përballjes në fushë

Nesër është një ndeshje me një rëndësi jo të vogël, për të përdorur një eufemizëm, për Interin, megjithatë një pjesë e madhe e konferencës së para-ndeshjes së Cristian Chivu përqendrohet, për shkak të një pyetjeje nga salla e shtypit, te polemikat për gjyqtarët: “Futbolli italian dhe ne të gjithë duhet të përmirësohemi në shumë gjëra, por jo në planin e arbitrimit; pastaj sigurisht që edhe ata, si të gjithë, mund të bëjnë më mirë. Problemi nuk janë gjyqtarët: nëse Italia nuk shkon në Botëror prej 11 vitesh, është faji i gjyqtarëve? Flasim gjithmonë për të njëjtat gjëra edhe pas ardhjes së Var-it, gjithmonë ankohemi kundër skuadrës sonë. Kur do të shoh një trajner të thotë: gjyqtari më ka favorizuar…”. Dhe më pas, për ‘frikën’ nga ndikime të mundshme për shkak të protestave të një klubi: “Nuk kam frikë nga asgjë, nuk shoh fantazma. Jam zgjedhur për të gjetur zgjidhje, jo për t’u ankuar”.

Kalojmë te Derby d’Italia: “Juventus është përmirësuar shumë me Luciano Spallettin, ai i ka dhënë një identitet në pak kohë. Kjo është një ndeshje ku gjen disa stimuj më shumë, një përballje e rëndësishme jo vetëm në Itali, por sfida e vërtetë është të gjesh motivim edhe kundër skuadrave më të dobëta në letër. Duhet të jemi gati si gjithmonë, duke pranuar edhe që nuk do ta kemi gjithmonë dominimin e lojës”. Pastaj një batutë për faktin që Spalletti nuk flet në konferencë: “Unë kam kërkuar që të vinte Lautaro (qesh, shën. red.). Një zgjedhje që do ta ndaja me kënaqësi, të flasësh çdo tre ditë nuk është e lehtë”.

Duke fituar, do të ishte kthesa vendimtare për titullin? Chivu nuk e sheh kështu: “Kanë mbetur 14 ndeshje, në këtë moment një rezultat nuk bën aq shumë diferencë, përveç në nivel moral dhe mendor. Kampionati është ende i gjatë”.

Konfirmohen lajmet e mira nga stërvitjet e fundit: “Nicolò Barella dhe Hakan Çalhanoğlu janë në dispozicion”. Një përkëdhelje për Marcus Thuram: “Historia e familjes së tij është shumë e bukur, pavarësisht rivalitetit është normale që të qeshë me vëllanë sepse e do. Unë i kërkoj vetëm të jetë më egoist para portës”. Për momentin e skuadrës, që u ringrit pikërisht pas 3-4 të ndeshjes së parë: “Merita është e djemve, nxorën në pah krenarinë dhe jemi rritur pak nga pak. Kam kërkuar të mos shohim kurrë renditjen, është e rëndësishme ekuilibri dhe të kemi më shumë respekt për veten: kështu nuk hyn mendjemadhësia kur përballesh me të voglat dhe nuk tejkalon limitet kur përballesh me të mëdhatë”.

Në fund, komplimente për Federica Brignone: “Është një model, dhe ne të futbollit duhet të mësojmë diçka. Shpesh gjykohemi vetëm për rezultatet, por është e drejtë vetëm deri në një pikë. Historia e Brignone është e bukur, askush nuk besonte përveç saj: janë gjëra prekëse”.


Shtuar 13.02.2026 23:33