Ndërron jetë kampioni i mundjes në Shqipëri

Kampionët i mundjes, Kujtim Ninas ka humbur jetën në moshën 62 vjeçare. Lajmi i trishtë u bë i ditur nga vetë Federata e Mundjes.

“Me shumë dhimbje dhe pikëllim, njoftojmë ndarjen nga jeta të Kujtim Ninas (Gut Lala), një figurë e shquar e mundjes dhe një humbje e madhe për sportin shqiptar. Kujtimi ishte një nga kampionët më të nderuar të mundjes, i cili la një trashëgimi të paharrueshme dhe kontribuoi ndjeshëm në zhvillimin e këtij sporti.

Ai u nderua me medaljen “Nderi i mundjes së Gollobordës” dhe ka qenë pjesë e ekipeve më të njohura të mundjes, si “17 Nëntori”, “Tomorri” dhe “Dajti”. Pjesëmarrës aktiv në vitet ‘70-‘80 dhe kampion kombëtar në vitin 1979 në kategorinë 82-90 kg, Kujtimi gjithashtu ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në administrimin e mundjes, si anëtar i Kryesisë së Shoqatës Kombëtare të Mundjes Shqiptare.
Kjo humbje është një goditje e rëndë për sportin e mundjes, i cili ka humbur një të dashur dhe të përkushtuar. Kujtimi do të mbetet gjithmonë një frymëzim për të gjithë ata që e deshën mundjen dhe e ndihmuan atë të rritej.
Ngushëllime të sinqerta për familjen dhe të afërmit!”, shkruhet në njoftimin e Federatës.


Shtuar 3.01.2025 16:29