Ndërprerja e ndeshjes për iftar, Guardiola kritikon tifozët e Leeds për fishkëllimat ndaj myslimanëve: Respektoni fenë

Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka kritikuar tifozët e Leeds United, të cilët fishkëllyen lojtarët myslimanë të ekipit të tij gjatë ndërprerjes për iftar.

Ndeshja u ndërpre për pak çaste në “Elland Road”, në mënyrë që tre futbollistë të Cityt, Rayan Aït-Nouri, Rayan Cherki dhe Omar Marmoush të mund të thyenin agjërimin pas perëndimit të diellit.

Tifozët u informuan për arsyen e ndërprerjes përmes ekranit të madh të stadiumit, por një pjesë e mbështetësve vendas shprehën pakënaqësinë e tyre me fishkëllima.

Sipas rregullave në fuqi që nga viti 2021, lojtarëve u lejohet një pauzë e shkurtër gjatë ndeshjeve të Premier League për të ndërprerë agjërimin gjatë muajit të Ramazanit.

Guardiola reagoi ashpër në konferencën për shtyp pas ndeshjes.

“Jetojmë në një botë moderne, apo jo? Shikoni çfarë po ndodh. Respektoni fenë, respektoni diversitetin, kjo është çështja. Liga Premier lejon një pushim një ose dy minutash që lojtarët që agjërojnë të mund ta bëjnë këtë. Kështu funksionon. Lojtarët e dinë këtë. Ne morëm disa vitamina sepse Cherki dhe Aït-Nouri nuk kishin ngrënë sot. Asgjë më shumë se kaq. Pyetja është: a mund ta bëjnë apo jo? Cili është problemi?”, deklaroi tekniku spanjoll.

Edhe ndihmëstrajneri i Leeds, Edmund Riemer, u shpreh i zhgënjyer nga reagimi i tifozëve, duke theksuar se respekti dhe toleranca duhet të jenë pjesë e futbollit modern.


Shtuar 1.03.2026 13:10

Tags: