Mesfushori gjerman Jamal Musiala, ka identifikuar tre lojtarët e rinj më të mirë në botën e futbollit. 21-vjeçari po vazhdon të lë shenja për klubin dhe kombëtaren.
Pasi shënoi 12 gola dhe bëri tetë asistime në 38 ndeshje për Bayernin sezonin e kaluar, Musiala ka qenë njëri ndër lojtarët kryesor të Gjermanisë në Euro 2024.
Në fakt, ai është bërë lojtari më i ri që shënon në dy ndeshjet e para të fazës së grupeve në Kampionatin Evropian, pasi gjeti rrjetën ndaj Skocisë dhe Hungarisë.
Pas ndeshjes me Hungarinë të mërkurën, Musiala foli për ESPN për një numër temash, duke përfshirë tre lojtarët e rinj që sipas tij janë më të mirët, aty ku përmendi Jude Bellingham, Pedri dhe Bukayo Saka.
“Shumë lojtarë të rinj po bëjnë mirë momentalisht. Natyrisht, ju keni Jude, i cili po bën gjëra të mrekullueshme tek Real Madridi. Ju keni Pedrin, që mendoj se është një lojtar i mrekullueshëm”.
“Ka shumë. Saka nga Arsenali. Ndoshta ka disa emra që nuk po më kujtohen momentalisht, por tani për tani të gjithë po bëjnë mirë”, ka thënë Musiala.
Musiala i cili iu bashkua Bayernit nga Chelsea në vitin 2019, pati një miqësi të ngushtë me Bellingham gjatë kohëve sa luanin së bashku tek grupmoshat e Anglisë.
“Ishin vite të jashtëzakonshme tek Anglia. Jude dhe unë gjithmonë e kemi kuptuar njëri-tjetrin mirë në fushë, dhe kemi luajtur futboll shumë të mirë. Përkundër kësaj, ne ishim shokë dhome dhe gjithmonë kemi pasur një marrëdhënie të mirë”.
“Unë mendoj se Jude gjithmonë ka pasur një mentalitet të madh si lojtar. Ai beson shumë në veten e tij dhe nuk iu shmanget misioneve të vështira, kështu që nuk isha i befasuar ta shoh kështu tek Real Madridi”, u shpreh ai. /Telegrafi/