Kampioni aktual i futbollit anglez dhe i Evropës, Manchester City, doli me fitoren nga fusha e vështirë e Newcastle United dhe personi që solli kthesën ishte Kevin De Bruyne.
Man City kaloi në epërsi në minutën e 26-të me një gol të shkëlqyer të Bernardo Silva, por Newcastle përmbysi rezultatin nga dy kundërsulme të shpejta me golat e Alexander Isak dhe Anthony Gordon.
Në minutën e 64-të, Pep Guardiola futi në lojë Kevin De Bruynen, i cili ishte duke u rikuperuar nga një dëmtim i kofshës për katër muaj e gjysmë.
Kapitenit të kombëtares belge i nevojiteshin vetëm pesë prekje të topit për të qenë në mesin e golashënuesve.
Ai barazoi shifrat në minutën e 74-të me një goditje të fortë nga brenda zonës, që ishte e pambrojtur për portierin vendas Martin Dubravka.
De Bruyne pati një moment tjetër prej gjeniu në minutën e parë të kohës shtesës, kur gjeti Oscar Bobbon me një pasim të përsosur, i cili vrapoi drejt zonës, e pranoi topin dhe e ktheu në gol për 3-2.
Mungesa e De Bruynes ëhstë vërejtur në disa ndeshje te Man City dhe me rikthimin e tij, qytetarët do të jenë sërish kandidat për titull kampioni, por edhe për Ligën e Kampionëve. /Telegrafi/