Trajneri i Kombëtares foli edhe për ecurinë e kuqezinjve si edhe u ndal te një fakt shumë interesant. Nëse Shqipëria kualifikohet në Botëror, Silvinjo do të jetë i vetmi trjaner brazilian që merr pjesë pasi asnjë skuadër tjetër nuk ka në përbërje trajner nga Brazili.
Si eci rrugëtimi i Shqipërisë për në “Play Off” të Botërorit? Sa i përket Anglisë, unë e shoh si një nga favoritët për Kupën e Botës. Është një skuadër shumë fizike, por edhe shumë e larmishme taktikisht. Ka lojtarë krahu shumë të shpejtë, me një kundër një, asist dhe gola. Jam një admirues i madh i Gareth Sauthgejtit. Është një trajner modern, me balancë të jashtëzakonshme mes sulmit dhe mbrojtjes. Anglia pëson shumë pak gola. Për mua është një nga favoritët, së bashku me Brazilin, Argjentinën, Francën dhe Spanjën. Sa i përket ndeshjes kundër Serbisë jashtë fushe, ishte një ndeshje shumë e vështirë, me shumë tension dhe histori politike. Ne u përgatitëm për futboll, vetëm futboll. Ishte një fitore historike për vendin dhe na hapi rrugën për play off-in. Për Poloninë, ne e njohim mirë. Janë lojtarë të nivelit shumë të lartë, si Leëandoëski. Është një ndeshje e vetme, 90 minuta, dhe gjithçka vendoset në detaje: një gabim, një top i ndalur. Ne besojmë te struktura jonë, te përmirësimi ynë dhe te cilësitë tona. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, por ne besojmë se mund të arrijmë aty ku duam.
Jeni i vetmi trajner brazilian që mund të shkojë në Botëror. A e keni menduar ndonjëherë që do të luani kundër Brazilit në fazën e dytë? Do të shtoj edhe diçka. Do bëj edhe një shaka të vogël. Madje kam menduar edhe për finalen… por po e lëmë këtë mënjanë. Le të përplasen ata më parë. Ishte interesante, vërtet. E para, e mora me shumë krenari. Sapo kishim dalë nga ndeshja me Andorrën dhe mora shumë mesazhe: “Urime”, “Punë e shkëlqyer”, “Sa bukur”. Dhe të nesërmen, një person nga Portugalia më tha: “E di që, nëse kalon play-off-in, ti do të jesh i vetmi trajner brazilian në Kupën e Botës?”. Unë thashë: “Uau… dje hoqa 400 kilogramë nga shpatullat dhe tani po më vë edhe 600 të tjerë?”. Sigurisht, ndjeva një përgjegjësi të madhe. Megjithatë, e mora me shumë dashuri. Nëse ndodh, do të jetë gjithmonë krenari të përfaqësoj Brazilin, edhe si trajner. Dhe nëse kalojmë play off-in, të luajmë një Kupë Bote për ne është diçka jashtë normales. Aty mund të ndodhë gjithçka. Sinqerisht, nuk kam menduar për një përballje me Brazilin. Ma kanë përmendur, po. Një brazilian më tha: “Mund të ketë përballje me Brazilin më vonë”. I thashë: “Qetësi, rruga është e gjatë. Të ecim 100 metra nga një herë dhe pastaj shohim çfarë ndodh”.
Silvinjo, na fol pak më shumë për momentin që po kalon Kombëtarja shqiptare dhe futbollistët që ka në skuadër. Shumica dërrmuese e lojtarëve tanë luajnë jashtë Shqipërisë. Kampionati vendas po rritet, strukturat e klubeve po përmirësohen, por ende është nën nivelin e kombëtares. Vlera jonë kryesore janë lojtarët. Kur ata largohen dhe shkojnë në Premier League, Serie A, La Liga, ata përmirësohen shumë. Ata stërviten me metodologji të tjera, me trajnerë dhe lojtarë të nivelit të lartë. Ata jo vetëm mësojnë, por përmirësohen çdo ditë. Kur këta lojtarë kthehen në kombëtare, sjellin me vete jo vetëm cilësi teknike, por edhe taktike, perceptim loje, eksperiencë. Në këta tre vite pune, duke folur vetëm për periudhën time, kemi pasur një përmirësim të ndjeshëm, sidomos në aspektin taktik dhe strukturor. Skuadra ka mësuar të mbrohet më mirë. Kjo të jep siguri dhe ekuilibër, dhe të lejon të fusësh në fushë lojtarë me më shumë cilësi teknike në fazën ofensive. Ne zakonisht luajmë kundër kundërshtarëve më të fortë se ne, por po e përballojmë mirë këtë proces. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është përvoja në ndeshje të mëdha: Europiani, përballjet me Spanjën, Kroacinë dhe Italinë. Për ne ishte shumë e rëndësishme. Mund të luash 2-2 me Kroacinë, të humbasësh 1-0 nga “ekipi i dytë” i Spanjës që për mua mund të luajë finalen e Kupës së Botës dhe të humbasësh 2-1 nga Italia. Këto janë pjesë e rritjes sonë dhe ne jemi të kënaqur deri tani. Puna jonë e brendshme është të bindim lojtarët se mund të jemi gjithnjë e më të organizuar dhe të nxjerrim maksimumin nga cilësitë e tyre teknike. Europiani ishte një përvojë e jashtëzakonshme, edhe pse grupi ishte shumë i vështirë. Ishte pothuajse një muaj pa gjumë. Ne përfaqësonim një vend dhe debutonim kundër Italisë. Për mua ishte diçka shumë emocionale. Unë mbaj mend Italinë e vitit 1982, Zikon, Sokratesin. Të hyja në fushë si trajner kundër Italisë ishte shumë simbolike. Është një fanellë shumë e rëndë, me histori të bukur. Mbrojtëm kombëtaren dhe vendin. Nuk mund të hysh dhe të pësosh humbje të rënda. Ishte shumë stres, por ia vlejti. Ne ndërtuam një skuadër shumë reaktive, të fortë në mbrojtje dhe në kundërsulm. Broja është lojtari më i shpejtë që kemi, por në atë periudhë ishte i dëmtuar. Ne kemi lojtarë si Bajrami, Rey Manaj, që kanë cilësi teknike, shpejtësi të ndërtuar, jo vetëm hapësirë. Dalëngadalë po përpiqemi të rrisim cilësinë në mesfushë dhe në mbrojtje për të ndërtuar lojë më të pastër. Kundër skuadrave më të forta ndjehemi mirë, sepse na sulmojnë dhe na japin hapësira. Por lufta jonë është të mos jetojmë vetëm nga kundërsulmi. Shembulli i Andorrës është tipik. Është një skuadër që mbrohet me të gjithë, e çon çdo ndeshje në limit. Edhe Anglia ka pasur vështirësi kundër tyre.
Si e sheh Ançelotin në krye të Brazilit? Mendoj se është fantastike. Një nga trajnerët më të mëdhenj të dy dekadave të fundit. Ka punuar në klubet më të mëdha, me lojtarët më të mirë. Kam pirë një kafe me të, është shumë inteligjent, shumë i qetë dhe e di shumë mirë ku ndodhet. Kombëtarja braziliane është në duar shumë të mira. Brazil, Argjentinë, Francë, Angli, Spanjë, Portugali… janë të gjitha shumë pranë njëratjetrës. Nuk është kurrë e lehtë të fitosh një Kupë Bote. Nëse ne shkojmë atje me Shqipërinë dhe arrijmë në finale… unë jam me Shqipërinë, sigurisht.
Karriera si trajner? Puna në klub është shumë ndryshe nga kombëtarja. Në klub luan çdo javë, të mërkurë dhe të diel. Te Lyon ishte shumë e shkurtër, nuk jep kohë për analiza të thella. Në kombëtare ke tre vite dhe mund të analizosh vërtet punën. Ne bëjmë vlerësime pas çdo cikli: Euro, Nations League, kualifikime. Mund të monitorosh lojtarë, të ndërtosh gradualisht.
Silvinjo, dua të flasim për stafin tënd: Doriva dhe Pablo Zabaleta. Si lindi kjo ide? Doriva është një person i besimit, shumë i qetë. Ai më sjell ekuilibër, sepse unë jam shumë intensiv. Kur ai më thotë “ndalo pak”, është sepse vërtet jam në limit. Zabaleta ka profil shumë të ngjashëm me timin: i detajuar, intensiv, modern. Ai sjell përvojë të freskët nga fusha. Ne tre krijojmë një balancë shumë të mirë.
Duke qenë se ke punuar me Venger, Guardiola, Mançini, Tite… nga kush ke marrë më shumë? Më shumë kam mësuar nga ata me të cilët kam punuar çdo ditë, Mançini dhe Tite. Nga Guardiola mora shumë në menaxhim dhe ide. Nga Venger, kulturë dhe edukatë. Çdo trajner lë diçka.
Si është të ndash statusin e figurës më të njohur të Shqipërisë me Dua Lipën? Është mirë sepse unë humbas gjithmonë. Por imagjino çfarë lumturie do t’i japim Shqipërisë nëse shkojmë në Kupën e Botës. Do të jetë gëzim për shumë njerëz.
