Moment historik për boksin shqiptar, Jurgen Uldedaj ngjitet në ring për titullin kampion bote të IBO

Boksi shqiptar do të përjetojë një nga mbrëmjet më të rëndësishme më datën 25 tetor, kur kampioni shqiptar Jurgen Uldedaj, do të ngjitet në ring për atë që është padyshim ndeshja më e rëndësishme e karrierës së tij.

Boksieri 28-vjeçar do të duelojë në arenën e famshëm “O₂” të Londrës për titullin e madh botëror IBO në peshën kruizer, deri në 90 kg. Uldedaj shkon në këtë përballje me një bilanc të jashtëzakonshëm në ringun profesionist, ku ka shënuar 20 fitore e vetëm një humbje. 8 nga fitoret e boksierit lezhjan janë me KO.

Përballë tij do të jetë kamerunasi Rolli Lambert Fogum, i cili gjithashtu vjen pas një ecurie të mirë, pasi 36-vjeçari ka një rekord personal prej 18 fitoresh, 1 barazimi e 3 humbjesh në ringun profesionist, ku duhet theksuar se 14 prej tyre janë me KO.

Kjo është hera e parë në histori që një boksier shqiptar është sfidant për një titull botëror të këtij niveli, duke llogaritur se IBO është një prej federatave më të njohura të boksit në botë dhe vetëm boksierët më elitarë garojnë për të fituar brezin e kampionit.


Shtuar 14.10.2025 19:36