Pas ndeshjes kundër Kroacisë, e cila përfundoi 2:2, Daku u përfshi në një incident që mori vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe po ashtu një ndërshkim nga UEFA. Kjo pasi sulmuesi në një moment ka marrë megafonin dhe ka bërë një thirrje fyese për maqedonasit dhe serbët. Lidhur me incidentin e bujshëm, Daku ka folur për herë të parë:
“Europiani në përgjithësi ishte një eksperiencë shumë e mirë. Për mua jo shumë e mirë, duke marrë parasysh atë që ndodhi. Por, nuk kemi çfarë të bëjmë. Po shohim se Kombëtarja çdo ditë po rritet më shumë dhe jam shumë i kënaqur që isha pjesë e Kombëtares në këtë Kampionat Europian.”-tha ai në një intervistë për Ora News.
Me anë të një deklarate zyrtare Daku ka kërkuar falje publike duke u shprehur se ishte nën efektin e emocioneve:
“Përshëndetje të gjithëve. Së pari dua të jem falenderues ndaj të gjithë atyre që na kanë përkrahur në momentet e mira dhe të vështira në Euro 2024. Si çdo futbollist, në ato momente emocionet janë në një nivel tjetër, ku vetëm brenda fushës mund të kuptohen, është e vështirë të përshkruash ndjenjën e të luajturit për këtë Kombëtare, për këta tifozë të mrekullueshëm që na japin dashni pa kufi, ashtu siç është dhe moto jonë, “Shqipëri dashni pa kufi”.
Ndjesë nëse kam fyer dikë pas ndeshjes me Kroacinë, afekti i lojës e bën të vetën, unë vazhdoj të punoj së bashku me gjithë grupin rreth ëndrrave tona. Falja është burrërore, dhe e ndjej obligim moral dhe profesional ta bëj një gjë të tillë, për gjithë ata që janë lënduar. Me respekt, Mirlind Daku”, shkroi Daku.