Milani në shenjën e shqiptarëve

Milani ka gjetur heronjtë e rinj, që japin shpresë për të ardhmen. Nga manovrat e Igli Tares në merkato, te paraqitja e Ardon Jasharit, shqiptarët po lënë shenjë te kuqezinjtë. Mesfushori i blerë nga Brugge ishte titullar në debutimin me ekipin e ri dhe luajti 60 minuta në miqësoren e barazuar 1-1 përballë Leeds në Dublin. Me paraqitjen e tij në fushë, 23-vjeçari meritoi elozhet nga trajneri Massimiliano Allegri.

“Më mrekulloi mënyra si luajti, sepse gjatë këtyre ditëve ishte stërvitur gjithmonë veçmas dhe nuk e kishte prekur asnjëherë topin. Ashtu si për të gjithë, tashmë duhet të përmirësojë gjendjen fizike dhe psikologjike.”

Shqiptari tjetër që ka mahnitur, por me manovrat në merkato, është Igli Tare. Opinioni publik dhe tifozët e cilësojnë si drejtorin sportiv që Milanit i mungonte. Përpos afrimeve të Jasharit dhe Modric, vlerësime ka edhe për largimet.

Lëvizja më e fundit ishte shitja e Malick Thiaws te Newcastle për 40 milionë euro, edhe pse bëhej fjalë për një rezervë. Më parë, Tare vendosi rekordin me transferimin e Reijnders te Manchester City për 70 milionë euro, por edhe me shitjet e Theo Hernandez, Emerson Royal dhe Pellegrino. Tashmë synohet edhe shitja e Yunus Musah për 30 milionë euro te Napoli ose Nottingham Forest.


Shtuar 10.08.2025 22:15