“Milani do të ishte diçka krejtësisht ndryshe me Modricin” – përkrahet transferimi i kroatit në Itali

Luka Modric ka rënë dakord të transferohet te Milani, duke i dhënë fund periudhës së tij të gjatë te Real Madridi, raportoi La Repubblica. Një ditë më parë, gazetari i njohur i futbollit, Fabrizio Romano, kishte raportuar se mesfushori kroat mund të vazhdojë karrierën e tij në Serie A.

Aktualisht, Modric ndodhet në Rijeka, ku po përgatitet me Kroacinë për sfidat kundër Gjibraltarit dhe Republikës Çeke në kualifikueset e Kupës së Botës.

Edhe pse marrëveshja nuk është zyrtarizuar ende, lajmi ka gjeneruar interes të madh në mediat italiane. Ish-mesfushori i Milanit, Massimo Ambrosini, e komentoi kështu mundësinë e transferimit të legjendës së Real Madridit.

“Në fillim u habita nga interesi i Milanit, por më pas kuptova që Luka do të ishte një nxitje dhe një udhërrëfyes vetëm me praninë e tij. Mosha është problem, por mund t’i japësh një kontratë të shkurtër. Milani nuk do të luajë në garat evropiane, kështu që mund t’i japë minuta. Ai do të sillte prestigj dhe shkëlqim. Milani do të ishte diçka krejtësisht ndryshe me Modricin”, deklaroi Ambrosini.

Shumë klube të interesuara për Modrićin

Kapiteni kroat ka oferta të shumta nga klube në Evropë, SHBA dhe Arabinë Saudite. Pavarësisht kësaj, Modric ka konfirmuar largimin nga Reali pas Kupës së Botës për Klube këtë verë, ndërsa e ardhmja e tij mbetet e hapur.

Rayo Vallecano ka shfaqur interes të fortë në Evropë, duke ofruar mundësinë që Modric të qëndrojë në Madrid, ku familja e tij ndihet e vendosur. Presidenti i Rayos, Martin Presa, ka konfirmuar publikisht dëshirën për të sjellë kroatin, duke përmendur se më parë kanë tërhequr emra të njohur si Radamel Falcao.

Megjithatë, Presa e ka pranuar se klubi nuk mund të ofrojë kushtet financiare që Modric kishte te Real Madridi.

Ndërkohë, Milani ka zyrtarizuar javën e kaluar Igli Taren si drejtor sportiv të ekipit të parë, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë kërkimi për këtë rol.

Ish-lojtari i kombëtares shqiptare ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon tjetër, me një pagë prej 800,000 eurosh në vit.


Shtuar 3.06.2025 21:07