Mikel Arteta zbulon se çfarë ka mësuar më së shumti nga Jurgen Klopp

Sot (e diel) Arsenal dhe Liverpool do të ndeshen në atë që pritet të jetë një duel i zjarrtë në “Emirates”, duke marrë parasysh luftën e ngushtë për titull kampion.

Para ndeshjes në konferencën për shtyp, ka folur edhe trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, i cili ndër të tjerash ka thënë se ka marrë ‘shumë gjëra’ nga epoka e Jurgen Kloppit tek Liverpooli.

“Shumë gjëra. Veçanërisht identitetin që ka ekipi i tij, identiteti që klubi ka”, ka thënë Arteta kur u pyet se çfarë ka mësuar nga gjermani.

“Është shumë e qartë. Ai është dikush që është i vendosur që të lë shenja në klub. Ekipi ka qëllime të qarta dhe sjellje të mira, pa marrë parasysh se cili lojtar luan. Mua më pëlqen gjithçka që ai ka arritur tek Liverpooli”, është shprehur tekniku spanjoll.

Klopp tashmë ka njoftuar më herët se në fund të sezonit do të largohet nga Liverpooli, klub ky të cilin e ka udhëhequr që nga viti 2015.

Gjatë kësaj kohe ai i ka udhëhequr “Të Kuqtë” drejt titullit të Ligës Premier, Ligës së Kampionëve, FA Cup.

Kujtojmë se ndeshja e parë e zhvilluar në “Anfield” mes këtyre dy skuadrave kishte përfunduar me rezultat të barabartë 1-1, ndërsa së fundmi ndeshja e luajtur në kuadër të FA Cup, i takoi Liverpoolit të cilët fituan me rezultat 2-0./Telegrafi/


Shtuar 4.02.2024 12:01